Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një letre informoi ministren e Mbrojtjes Radmila Shekerinska se është pranuar kërkesa e qeverisë që Maqedonia të jetë pjesë e Aleancës për promovimin e edukimit në mbrojtje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në letër, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai mirëpriti kërkesën e vendit tonë për t’u bashkuar me këtë program, dhe në një periudhë të ardhshme një ekip nga Departamenti i Çështjeve Politike dhe Politikës së Sigurisë në NATO, do të qëndrojë për vizitë studimore në Maqedoni ku do të përcaktohen mbështetjet e nevojshme, thonë nga Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë.
“Duke u bazuar në suksesin e deritanishëm të programit, jam i bindur se i njëjti do të forcojë institucionet tuaja të edukimit në mbrojtje, sidomos Akademinë tuaj Ushtarake”, thuhet në letrën e Stoltenbergut.
Programi për Promovimin e Arsimimit në Mbrojtje, është motori i cili qëndron pas reformave të mbrojtjes, sepse siguron mbështetje të përshtatshme praktike për vendet në zhvillim dhe ndihmon reformat e institucioneve të tyre profesionale ushtarake.
Që nga viti 2013, i ashtuquajturi Programi i Përmirësimit të Programit të Edukimit të Mbrojtjes (DEEP) ka organizuar mbi 680 ngjarje dhe ka angazhuar mbi 1240 ekspertë nga Aleanca.
Ky program udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kanadaja, Sllovakia, Spanja, Zvicra, Republika Çeke, Franca, Italia, Lituania, Polonia, Bullgaria dhe Rumania.
Tani për herë të parë, Republika e Maqedonisë merr qasje në program.