Stojanoviq: Lista Serbe vodhi 20 mijë vota në Kosovë

Ish-nënkryetari i Gjilanit, Milan Stojanoviq, ka akuzuar rëndë Listën Serbe se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 vodhën shumë vota të serbëve.

“E ashtuquajtura Srpska në pushtet erdhi duke vjedhur 20 mijë vota në Kosovë”, ka shkruar Stojanoviq në Facebook.

Ai ka thënë se më mirë do të ishte që të ngrihet kryeministri Vuçiq për rrenat e tij, se sa të ngrihen pozitat e deputetëve dhe ministrave serb në Kosovë.

Stojanoviq ka akuzuar rëndë edhe Marko Gjuriqin dhe zëvendëskryeministrin, Branimir Stojanoviq.

“Ai kreteni Marko Gjuriqi ka marrë para dhe e ka përkrahur tregimin rreth Hashim Thaçit, ndërsa në TV shet mjegull. Ju e dini se edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq është takuar në kafiteri në Maqedoni dhe ka marrë para kesh”, shton Stojanoviq, shkruan telenews.al

Stojanoviq ka përmendur edhe investimin e qeverisë së Kosovës në ndërtimin e spitalit në komunën e Parteshit, ndërsa për këtë investim meritat i kishte marrë qeveria e Vuçiqit.

“Sa i përket Trepçës, populli shqiptar nuk do të përfitojë asgjë nga kjo, e edhe më pak ai serb. Trepçën e kanë fituar britanikët në vitin 2013”, ka shkruar Stojanoviq.