Stinori pranveror fillon me derbi të madh

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, dhe mesfushori Albert Dabiqaj e kanë pranuar se stinori pranveror do të jetë më i vështirë se pjesa e parë e kampionatit.

Me një ndeshje shumë të vështirë, Drita do ta nisë pjesën e dytë të edicionit në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita e Llapi do të takohen të shtunën në derbin e xhiros së 19-të të elitës së futbollit kosovar. Ndeshja zhvillohet prej orës 13:00, në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Drita është e treta në tabelë me 34 pikë, aq sa i ka edhe Llapi në pozitën e dytë. Tabelës i prin Ballkani me gjashtë pikë më shumë.

Trajneri Ramadani e futbollisti Dabiqaj ishin të pranishëm në konferencën për shtyp te skuadra e Dritës, të premten.

Ramadani tha se përgatitjet për këtë stinor janë kryer në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Të shtunën fillon një stinor shumë më i vështirë se ai vjeshtor, sepse është shumë vështirë për të marrë pikë në këtë stinor. Secili ekip jep më tepër nga vetja, si ato që janë në rrezik për rënie, ashtu edhe ekipet që luftojnë për kreun e tabelës ose për Evropën”, ka deklaruar Ramadani. Ai ka shtuar se Drita, megjithatë, është e gatshme.

“Jemi të përgatitur për ta filluar këtë stinor pranveror. Kemi disa ndryshime në skuadër, por kam besim te futbollistët dhe besoj që duhet ta nisim me këmbë të mbarë”, është shprehur Ramadani.

Drita këtë vit ka zhvilluar pesë ndeshje. Katër fitore i pati në ndeshjet përgatitore në Antalia të Turqisë, ndërsa kaloi në çerekfinale të Kupës së Kosovës pas fitores 3:0 ndaj Rilindjes 1974.

“E nisim stinorin pranveror me një ndeshje derbi. Ndeshemi me skuadrën e Llapit. Dihet se edhe Llapi ka objektiva thuajse si ne. Ne kemi bërë punë të mirë në fazën përgatitore, kurse të shtunën për ne synim është fitorja”, është shprehur Dabiqaj.

Edhe skuadra e Llapit i kreu përgatitjet në bregdetin turk.

Megjithatë, nga katër ndeshjet që i zhvilloi me disa skuadra të huaja, e arriti vetëm një fitore, ndërsa pati tri disfata. Me humbje vazhdoi edhe pas kthimit në Kosovë.

U eliminua në 1/8 e finales së Kupës nga Trepça ’89.

Te Llapi kanë vendosur të mos flasin para ndeshjes derbi.

Të shtunën në program është edhe ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit. Këto skuadra po luftojnë për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës. Fushë Kosova është e parafundit me 10 pikë. Gjilani renditet i teti me 18 pikë.

Dukagjini – Malisheva, Liria – Ballkani dhe Prishtina – Feronikeli 74, janë ndeshjet tjera të xhiros së 19-të, të cilat do të zhvillohen të dielën.

Superliga – XIX

E shtunë (13:00)

Fushë Kosova – Gjilani

Drita – Llapi

E diel (13:00)

Dukagjini – Malisheva

Liria – Ballkani

Prishtina – Feronikeli 74

1. Ballkani 18 12 4 2 33:16 40

2. Llapi 18 10 4 4 29:16 34

3. Drita 18 10 4 4 25:12 34

4. Malisheva 18 9 2 7 27:22 29

5. Prishtina 18 5 11 2 20:17 26

6. Dukagjini 18 5 9 4 20:20 24

7. Feronikeli 74 18 6 3 9 18:28 21

8. Gjilani 18 5 3 10 13:18 18

9. Fushë Kosova 18 2 4 12 12:29 10

10. Liria 18 1 6 11 13:32 9