Statuti i Asociacionit ende s’ka nisur të hartohet

Ekipi menaxhues, i cili do ta hartojë statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe BE-në, ende nuk e ka filluar punën.

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ky ekip ende nuk ka filluar punën, porse ekipi menaxhues është kompletuar me dy anëtarët e rinj.

“Në këtë kohë vetëm janë emëruar dy anëtarë të rinj të ekipit menaxhues, i cili ekziston që nga viti 2013. Ky ekip duhet të koordinohet me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe me Bashkimin Evropian në lidhje me përpilimin e draftit të parë të statutit. Ky proces ende nuk ka filluar”, ka thënë Gecaj.

Por, ende nuk dihet se kur do të fillojë punën ky ekip. Zëvendësministri Gecaj thekson se ende nuk kanë datë të caktuar.

Ai ka përmendur edhe depërtimin e Marko Gjuriqit në mbrëmjen e së mërkurës nga Graçanica, duke e vlerësuar si jo të drejtë.

Madje, Simiq ka kërkuar edhe ndihmën dhe angazhimin më të madh të komunitetit ndërkombëtar për t’i garantuar të drejtat e njeriut. Javë më parë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte kërcënuar me shkarkim të këtij ekipi në qoftë se nuk punon sipas ligjeve të Kosovës, sepse është i krijuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.