Stano: Marrëveshja Turqi-BE për emigrantët edhe më tej është në fuqi

Bashkimi Evropian ka njoftuar se edhe më tej është në fuqi marrëveshja për emigrantët e nënshkruar me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media foli lidhur me pretendimet se “Turqia ka hapur dyert për refugjatët”.

“Sipas mendimit tonë edhe më tej është në fuqi marrëveshja Turqi-BE për emigrantët dhe presim që Turqia të përmbushë angazhimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje”, tha Stano i cili theksoi se nga Ankaraja nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare në këtë drejtim.

Pasi rikujtoi se edhe Ministria e Jashtme e Turqisë ka riafirmuar se nuk ka ndonjë ndryshim në politikën e saj për emigrantët, Stano shtoi se pretendimet në fjalë i kanë lexuar në median sociale.