Në kuadër të Panairit të 38-të Ndërkombëtar të Librit në Stamboll, u promovuan veprat e autorëve nga Republika e Turqisë të përkthyera në shqip, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktiviteti i organizuar në Qendrën e panaireve TÜYAP në Stamboll, nga ana e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë (SHBSH) me qendër në Shkup, u mbështet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
Në aktivitet morën pjesë ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, konsulli i përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Aktan Ago, përfaqësues të shtëpive botuese anëtare të SHBSH-së, akademikë, studentë si dhe të ftuar të tjerë.
Ministri Ismaili në një deklaratë për AA tha se në panair marrin pjesë me qëllim që t’i mbështesin botuesit shqiptarë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu edhe botuesit tjerë maqedonas që janë të pranishëm.
Ai tha se prania e tyre e tregon përkrahjen që e kanë dhënë më parë dhe që do ta japin edhe në të ardhmen me angazhime më të mëdha që këto shtëpi botuese me SHBSH t’i prezantojnë në botë sa më denjësisht.
“Republika e Maqedonisë së Veriut, posaçërisht botuesit shqiptarë mund të lavdërohen se shumë vepra turke, nga emra shumë të rëndësishme i kanë përkthyer në gjuhën shqipe. Ashtu që libri ta marrë edhe atë kuptimin e vetë që të jetë udhë mes popujve, t’i bashkojë gjithashtu. Mundohemi që librat prej gjuhës shqipe ose maqedonase të jenë prezent për publikun turk përkthyer në gjuhën e tyre”, theksoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet kulturore mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ismaili tha se “Këto marrëdhënie si ato politike, shoqërore, ekonomike janë të shkëlqyeshme”.
Ai potencoi se të dyja vendet kanë projekte të shumta në çdo lëmi të kulturës si dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme, duke treguar se ato marrëdhënie ende duhet t’i zgjerojnë.
Kryetari i SHBSH Abdulmexhit Saiti, në fjalimin e tij para të pranishmëve falënderoi Ministrinë e Kulturës për mbështetjen në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor.
Ai tregoi se në panairin e sivjemë kanë sjellë një numër të konsiderueshëm të titujve të shkrimtarëve nga Turqia të përkthyera në gjuhët vendore në Maqedoninë e Veriut.
“Shpresojmë e gjithë kjo të jetë edhe një kontributi i yni modest në afirmimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe promovimit të autorëve të dy shteteve tona, me shpresë që ky bashkëpunim të shtohet edhe më shumë në të ardhmen, pse jo edhe përmes realizimit të projekteve të përbashkëta në nivelin e botuesve, shoqatave botuese dhe ministrive të kulturës të dy vendeve tona”, tha ai.
Ndërsa historiani dhe osmanologu me prejardhje nga Shkupi i cili vepron në Turqi, Yusuf Hamzaoğlu, në kuadër të aktivitetit e prezantoi librin e tij të titulluar “Turqit dhe Islami në Evropë në periudhën para osmane”.
Hamzaoğlu tha se libri i tij përbëhet nga dy pjesë kryesorë, edhe atë “Turqit në Evropë në periudhën paraosmane” si dhe pjesa e dytë “Islami në Evropë në periudhën paraosmane”.
Ai potencoi se kur evropianët bëjnë vlerësime në lidhje me turqit kanë qasje paragjykuese. “Ne akuzave dhe të këqijave të tyre i përgjigjemi vetëm me hulumtimet që i bëjmë në kontekstin shkencor dhe mundohemi që t’i hedhim poshtë tezat e tyre. Ne në këtë libër u munduam ta bëjmë këtë”, tha ai.
Gjithashtu edhe shkrimtari Fadil Curri bëri vlerësimin e librave të fundit të publikuar në gjuhën shqipe të shkrimtarëve turq Ercan Kesal dhe İlber Ortaylı.