Stafi politik i Ministrisë së Mjedisit harxhon 46 mijë euro veç në telefonata

Telefonatat “bio” janë të parapëlqyerat e stafit politik në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. E ka dëshmuar këtë, duke shpenzuar më shumë në telefoni fikse sesa në atë mobile. Brenda dy vjetësh, në këtë ministri kanë defiluar dy ministra e gjashtë zëvendësministra, dhe më shumë se dhjetë këshilltarë e anëtarë të tjerë si staf mbështetës politik, shkruan sot Koha Ditore.

Përgjatë kësaj kohe, ata kanë shpenzuar 46.199.69 euro në telefonata. Pjesa më e madhe e kësaj shume është harxhuar në telefoni fikse – 25.340.61 euro.

E dhëna është evidentuar në një pasqyrë që prezanton shpenzimet e pjesshme të “armatës politike” të kësaj ministrie, e cila i është vënë gazetës në dispozicion, pas një kërkese për qasje në dokumente publike. Bazuar në të, edhe përgjatë katër muajve të fundit të 2017-s e edhe në periudhën vijuese të gjysmëmandatit qeverisës, harxhimet në telefoninë me tel janë më të mëdha sesa ato mobile.