Stafi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka qenë në mesin e 83 punëtorëve që kanë abuzuar seksualisht gra dhe vajza, sa kanë qenë duke luftuar shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, ka thënë një raport.
Abuzimet, të cilat përfshijnë nëntë pretendime për dhunime, janë kryer nga punëtorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në periudhën 2018-2020.
Raporti është përpiluar pasi më shumë se 50 gra lokale kanë raportuar abuzime seksuale.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se kjo gjë është e “paarsyetueshme”.
Raporti me 35 faqe është hartuar nga një komision i pavarur, pas kryerjes së hetimeve.
Komisioni, i cili ka intervistuar dhjetëra gra, të cilat kanë thënë se u është ofruar punë në këmbim të marrëdhënieve seksuale, ka gjetur se 21 nga 83 kryesit e këtyre veprave kanë qenë të punësuar nga OBSH-ja.
Gratë lokale gjithashtu dyshohet se janë dehur me pije, “janë zënë në pritë” nëpër spitale, janë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe dy kanë mbetur shtatzënë.
OBSH-ja ka thënë se do të prishë kontratat e katër personave, të cilët ende janë punëtorë të Organizatës dhe ka premtuar se do të merren masa ndaj tyre.
Duke folur në një konferencë për media, Tedros u ka kërkuar falje viktimave dhe të mbijetuarave.
“Më vjen keq çfarë ju ka ndodhur juve nga njerëzit e OBSH-së, të cilët janë punësuar për t’ju shërbyer dhe mbrojtur juve”.
“Është prioriteti im që kryesit të mos arsyetohen, por të mbahen përgjegjës”.
Më shumë se 2,000 persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos.
OBSH-ja, e cila ka bërë përpjekje globale për ta parandaluar përhapjen, e ka shpallur fundin e Ebolës në qershor të vitit të kaluar. /rel