Ballina Lajmet Kosovë “Stabiliteti dhe siguria në Kosovë”, EULEX rrit numrin e pjesëtarëve

“Stabiliteti dhe siguria në Kosovë”, EULEX rrit numrin e pjesëtarëve

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate, ku është bërë e ditur se këta policë do të punojnë krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe “për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.

Gjithashtu, thuhet se NJPSR-ja do të përbëhet nga asetet EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.

“NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë – duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën”, thuhet në komunikatë.

Ky do të jetë dislokimi i pestë i NJPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

“EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti”.

Exit mobile version