Srebrenicë, arkivolet e gjelbërta dëshmojnë për gjenocidin e korrikut 1995

Arkivolet e gjelbërta me mbetjet e nëntë viktimave të gjenocidit të korrikut të vitit 1995 në zonën e Srebrenicës dëshmojnë për krimin e tmerrshëm të kryer në këtë qytet në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Njëri pranë tjetrin janë radhitur, Seadi, Alija, Hasani, Hasibi, Zuhdija, Bajro, Ibrahimi, Salko dhe Kemali. Ata dëshmojnë për vuajtjet më të mëdha masive në kontinentin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, gjenocidi në Srebrenicë në korrik 1995.

Trupat e tyre të pakompletuara sot nga salla e ish-fabrikës së baterive në kompleksin e Qendrës Memoriale Potoçari në Srebrenicë do të dërgohen në varrezat Musala të Qendrës Memoriale.

Ata do të gjejnë prehjen përfundimtare nesër, pas 25 vjetësh në kërkim të eshtrave të tyre.

Në 25-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, nëntë viktima do të varrosen në varrezat e Qendrës Memoriale.

Salko Ibisheviç është viktima më e re që do të varroset në varrezat e Qendrës Memoriale këtë vit. Ai ishte vetëm 23-vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në varrin sekondar masiv në Liplje, në komunën e Zvornikut në vitin 2001.

Viktima më e vjetër që duhet të varroset është Hasan (Alije) Peziç nga Pustosha afër Vlasenicës. Ai ishte 70-vjeç kur u vra dhe u zhduk në vitin 1995 në zonën Kozluk. Trupi i tij u zhvarros nga një varr masiv në Kozluk në vitin 1999.

Në varrezat e Qendrës Memoriale të Potoçarit këtë vit do të varrosen: Sead (Huso) Hasanoviç, i lindur në vitin 1971 në Krivaça, Alija (Bekto) Suljiç, i lindur në 1969 në Poznanoviçi, Hasan (Alija) Peziç, i lindur më 1925 në Pustoshe, Hasib (Shaban) Hasanoviç, i lindur në vitin 1970 në Sllatinë, Zuhdija (Suljo) Avdagiç, i lindur më 1947 në Nova Kasaba, Bajro (Ramo) Salihoviç, i lindur në 1943 në Voljavica, Ibrahim (Hamid) Zukanoviç, i lindur më 1941 në Sasama, Salko (Ahmo) Ibisheviç, i lindur më 1972 në Lubovija dhe Kemal (Husein) Musiç, i lindur më 1968 në Glogovë.