Sprova e qemalistëve dhe e islamistëve me Republikën e Turqisë

Adnan Tekşen

Sot është 101 vjetori i hapit të hedhur në rrugën drejt themelimit të Republikës së Turqisë.

Jam i bindur se sidomos media sociale sot do të kthehet në një fushëbetejë me mesazhet që do të përcillen. Një fushëbetejë ku do të vringëllijnë mesazhe të papajtueshme, provokuese, poshtëruese, lavdëruese, populiste. Në këtë fushëbetejë, ata që përfaqësojnë arsyen e shëndoshë zakonisht tërhiqen në cepat e tyre me qëndrimet e tyre të drojtura.

Pse në çdo përvjetor të historisë sonë të afërt luhatemi në lavjerrësin mes gjuhës tendosëse të kësaj lufte psikologjike dhe retorikës së dashurisë platonike?

Përgjigja më e thjeshtë është se kjo ka të bëjë me faktin se nuk kemi arritur dot nga adoleshenca në pjekuri për sa i përket ballafaqimit me historinë tonë, të largët e të afërt.

Në këtë pikë askush nuk është i pafajshëm. Sigurisht, faktori i parë është gjuha dhe qasja e atyre që e zbukurojnë dhe e lustrojnë historinë tonë të afërt si një periudhë të kulluar nga çdo e metë. Këmbëngulja 100 vjeçare e kësaj gjuhe dhe qasjeje, doemos prodhoi antagonisten e vet. Por dialektika e historisë së afërt, ndërkohë që nxorri një sintezë nga antiteza e parashtuar kundrejt tezës, sigurisht, riprodhoi edhe vrerin e vet.

Ashtu siç për të parët Republika, me historinë, heronjtë dhe doktrinën e saj të konstruktuar, u kthye në një tabu, po ashtu për flamurtarët e antitezës u bë emri i një periudhe që duhej kundërshtuar me gjithçka.

Periudhat e shtypjes e të indoktrinimit, gjithmonë nxisin prodhimin klandestin. Antiteza për fat të keq bëri pikërisht këtë. Le të përpiqemi t’i shohim elementet kryesore të kësaj mosmarrëveshjeje:

1. Elementi i parë i këtij konflikti është mospajtimi lidhur me atë se me iniciativën dhe lejen e kujt e nisi Gazi Mustafa Qemali Luftën Kombëtare. Ky debat, të paktën hëpërhë, duket pjesërisht i shuar falë dokumenteve që tregojnë se kjo nismë është ndërmarrë me nxitjen e Sulltan Vahdettinit dhe të Stambollit.

2. Elementi i dytë është mospajtimi lidhur me atë se si mund të shpjegohen kontradiktat mes qëndrimeve të Gazi Mustafa Qemalit gjatë Luftës Kombëtare dhe viteve të para të Republikës dhe politikave të tij të mëvonshme. Qasjet lidhur me këto çështje janë plot me shpjegime të papajtueshme me njëra-tjetrën. Kritikat e atyre që përfaqësojnë antitezën i drejtohen përjashtimit të lutjeve e të njerëzve të fesë nga një proces që nisi me ta. Prandaj pyetjen këtu duhet të përpiqemi ta kuptojmë duke e zgjeruar. Pyetja është se për çfarë arsyesh konjukturale dhe përmes çfarë procesi e mekanizmi u bënë risitë e ndërmarra. Disa studiues, me në krye Mehmet Doğan-in, thonë se Mustafa Qemal Pasha, megjithëse i kishte disa risi në kokë, këto nuk ishin të natyrës së risive që ndodhën më vonë. Duket se në proces e sipër, rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që risitë në fjalë të zgjerohen e të radikalizohen. Në këtë kuptim, Mehmet Doğan qemalizmin e përkufizon si ideologji të pasluftës. Thotë se dëshira e palës më të madhe fituese, e anglezëve, për ta thyer ndikimin e Turqisë mbi botën islame përmes instrumentit të kalifatit, gjatë Konferencës së Lausanne-s dhe më parë, është kthyer në trysni ndaj turqve. Kjo trysni natyrshëm përmbante abrogimin e kalifatit mbi të gjitha si dhe zhdukjen e vlerave e të institucioneve islame, me qëllimin për t’ia shkëputur Turqisë lidhjet me botën islame. Këtë e rrëfen me një ndryshim simbolik. Tregohet se delegacioni që vajti me feste në Lausanne, u kthye që andej me kapela republike. Përndryshe nuk duket se mund të shpjegohet logjikisht fakti se Mustafa Qemal Pasha, megjithëse i pëlqente shumë muzika turke (fjalët që qarkullojnë e konfirmojnë këtë gjë), për një periudhë e ndaloi këtë muzikë. Apo fjalët lavdëruese për Islamin e të tjera gjëra si këto.

Një grup nga shtresa islame këtë ndryshim të Mustafa Qemalit e shpjegon me faktin se në fillim e ka fshehur qëllimin e tij për të përfituar nga fuqia dhe dinamizmi që i nevojiteshin për Luftën Kombëtare. Një nga të vërtetat e këtij pretendimi është përmbysja e marrëdhënieve me miqtë nga Mustafa Qemali gjatë periudhës së reformave.

3. Një tjetër çështje kontradiktore është perceptimi lidhur me rolet e aktorëve të Luftës Kombëtare. Ligjërimi i historisë zyrtare që përpiqet ta mitizojë Luftën Kombëtare përmes një heroi të vetëm, është shqetësues për përfaqësuesit e antitezës. Ky mund të shërbejë si fillim për një historiografi të re që t’i japë Cezarit atë që i takon. Vetëm kështu mund të dilet nga një rreth vicioz historie dhe politike që vazhdimisht shpall heronj dhe tradhtarë.

4. Një tjetër çështje janë ideologjitë qemaliste të krijuara gjatë periudhës së Republikës. Këto ideologji janë vepra të përpjekjeve të të gjithëve për të mos qëndruar në një shtrat legjitim nga ku mund të lindë një marrëveshje, por për të krijuar një instrument që do t’i shërbejë ideologjisë së tyre. Ideologjitë fanatike qemaliste, si pararendëse vullnetare të indoktrinimit jakobin, janë ideologji të shtresës që ka përfituar nga të mirat e mundësitë e regjimit dhe pastaj i ka nxjerrë vetes detyrë. Këta nuk kanë pranuar kurrë të gjejnë një kompromis, por kanë këmbëngulur në qasjen e tyre arrogante e përjashtuese.

5. Për shkak të efektit statukuoist të ideologjive qemaliste dhe shterpësisë së mbrojtësve të antitezës, përpjekja për ta ruajtur regjimin republikan në gjendjen e tij fillestare siç u themelua në rrethanat e fillimshekullit të 20-të nuk i njohu mundësi prodhimit të një pakti social të përditësueshëm e demokratik.

6. Një tjetër element themelor i debateve është perceptimi që shtresa islame është përpjekur të krijojë lidhur me Republikën, sikur fetarët qenkëshin kundër republikës si formë regjimi. Këtu ka dy gjëra. Së pari harrohet fakti se monarkitë simbolike dhe republikat në Evropë ende bashkëjetojnë. Së dyti, harrohet se para Republikës, në vitin 1876 qenë hedhur hapat e parë të kalimit në një sistem kushtetues parlamentar. Së treti, vetë Islami nuk parashikon një qeverisje monarkike, por kjo ka gjetur hapësirë zbatimi si një fakt historik. Së katërti, është shqetësimi që pati ndjerë shtresa fetare në vitet e para të Republikës nga regjimi jodemokratik por autoritar që u vendos. Ndërkohë që laicizmi duhej të shërbente si një garanci për fetarët e jofetarët, u kthye në ideologji dhe në simbol të viktimizimit të fetarëve, të kërcënimit ndaj mënyrës së tyre të jetesës. Por pikërisht në këtë pikë, problemet e sintezës që po përpiqet të krijojë qasja dhe stili politik i zhvilluar së fundmi nga përfaqësuesit e antitezës, duhet të përbëjnë një temë të re ballafaqimi. Për fat të keq gjatë historisë sonë njëqind vjeçare, vërtet është themeluar një regjim republikan, por ky regjim nuk është kurorëzuar me demokraci. Në këtë pikë asnjë përfaqësim politik nuk duket i pafajshëm (po të marrim parasysh se paranteza e hapur nga Özal-i nuk zgjati shumë).

7. Abrogimi i institucioneve fetare që thuhet se u prishën me risitë dhe institucionet e reja që u krijuan për arsimin dhe shërbimet fetare, e vështirësuan mundësinë për një fe të lirë e civile. Departamenti i Punëve Fetare që u krijua, ndonëse ka arritur ta sigurojë koordinimin e shërbimeve fetare, është kthyer në mjet të një indoktrinimi të kontrolluar fetar dhe në afat të gjatë nuk ka arritur t’u përgjigjet kërkesave të bashkësive josunnite, kryesisht të alevitëve. Por si përfundim i kësaj, feja nuk është zhdukur por ka dalë me një identitet, përmbajtje dhe institucione të reja në shoqëri. Si rezultat, mes shtresës fetare dhe qeverisjes nuk është krijuar dot një marrëdhënie harmonie e besimi dhe veç kësaj, formacionet fetare klandestine i kanë shkaktuar dëm fesë.

8. Repubika e re, megjithëse i mori disa kallëpe dhe koncepte institucionale të Perandorisë Osmane, këto dolën në pah si produkte të kombinimeve të çuditshme me përmbajtje të re. Për shembull, shenjtëria e shtetit në konceptin osman që vinte nga Islami (devlet-i ebed müddet), u përpoq të mbështetej me një ideologji shekullare, por kjo përpjekje shërbeu si një faktor pengues për krijimin e pajtimit social mes shtresave fetare të shoqërisë dhe qeverisjes. Kurse dhunimet e shkaktuara nga vagullsitë në përkufizimin e laicizmit, do të ishin kripa dhe piperi i kësaj. Zgjidhja e këtij problemi është që laicizmi të përkufizohet qartë dhe të kthehet në një formë qeverisjeje.

9. Përpjekjet për ta mbrojtur Gazi Mustafa Qemalin me ligj pas vdekjes, ndërkohë që duhej të synonte parandalimin e kritikave të pamoralshme ndaj tij, u kthye në një hapësirë të re tensioni. Mendoj se edhe kjo çështje duhet riparë. Për këtë qëllim, nevoja e Turqisë për reformë duhet shpjeguar objektivisht, nga këndvështrimi historik dhe sociologjik. Në vend të një Historie Reformash që një histori 200 vjeçare e kufizon me reforma 5 vjeçare, ndoshta mund të shkruhet një Histori e Përtëritjes Turke dhe të largohet nga një indoktrinim i pakëndshëm e i mangët.

10. Për shuarjen e këtyre qasjeve konfliktuale, një detyrë u takon edhe islamistëve. Në vend që ta hedhin poshtë me një të rënë të lapsit regjimin e republikës, është e domosdoshme që të bëjnë përpjekje për një ballafaqim të shëndoshë me arritjet e Republikës.

Si përfundim duhet thënë kjo: Për sa kohë ky vend nuk bën një ballafaqim me historinë e afërt që të mund të prodhojë një formulë bashkëjetese, ky komb do të paguajë shumë fatura akoma. Për të zënë vendin tonë në një botë që ndryshon me shpejtësi, është bërë e domosdoshme t’i kapërcejmë me një gjuhë të arsyeshme debatet e fosilizuara të 100 viteve më parë. A i thoni po guximit për të menduar  të për gjetur një gjuhë të përbashkët se si mund të zhvillojmë një Republikë demokratike e liridashëse ku të mos paguajmë më faturat e një bote që globalizohet? Sundimi i popullit nuk duhet të jetë më vetëm një retorikë ngushëlluese. Së pari le të ballafaqohemi me dyfytyrësinë tonë. Të heqim dorë nga kacafytja me njëri-tjetrin. Të vrasim mendjen se ç’vend duhet të zëmë në një botë ku pas perandorive janë formuar shtete të reja, ku janë shembur perdet e hekurta dhe ku interesat e kartelave e të holdingeve na i marrin mendtë me maska të quajtura globalizëm. Le ta braktisim konformizmin e stileve e të qasjeve fanatike që kemi formuar në getot tona për spektatorët tanë. Çdo përpjekje për kompromis kërkon guxim. Të flasësh kërkon dije, zhveshje nga paragjykimet, aftësi për empati, përpjekje.

Shënim i fundit: Ti, lexues që përpiqesh të gjesh thumbin në këtë shkrim! Ik prej këtu. Kjo nuk është rruga jote. Nëse do patjetër të lësh një fytyrë të përgjakur në histori, vazhdo t’i krruash puçrrat e tua prej adoleshenti!