Fitues i edicionit të 39-të të maratonës Vodafone të Stambollit në kategorinë e meshkujve është Abraham Kiprotich nga Kenia, ndërsa në kategorinë e femrave, e para në vijën e cakut mbërriti bashkëkombësja e tij Ruth Chepngetich, raporton Anadolu Agency (AA).
Kiprotich kaloi shtegun për 2 orë e 11 minuta dhe 22 sekonda, ndërsa pas tij u radhit keniani Jacob Kendagor, i cili mbeti pas tij vetëm pesë sekonda. Në vendin e tretë përfundoi Bazu Worku nga Etiopia i cili shtegun e përshkoi për 2 orë e 11 minuta dhe 39 sekonda.
Në kategorinë e femrave, Chepngetich përshkoi shtegun e maratonës për 2 orë e 22 minuta dhe 36 sekonda, ndërsa në vend të dytë përfundoi bashkëkombësja e saj, Visiline Jepkesho, e cila medaljen e argjendtë e fitoi me kohën 2 orë e 22 minuta dhe 40 sekonda. E treta në cak përfundoi garuesja nga Etiopia, të cilës i mjaftuan dy orë e 25 minuta dhe 14 sekonda.
Garuesit vrapuan përmbi Bosfor në Urën e “Dëshmorët e 15 korrikut”, për të vazhduar përgjatë bregut të Bosforit dhe lokaliteteve të cilat janë simbol i trashëgimisë romake, bizantine dhe osmane, ndërsa fundi i garës ishte në afërsi të xhamisë së Sulltan Ahmetit.
Në garën për titullin e më të mirit në këtë maratonë, morën pjesë atletë të njohur nga Turqia, Kenia, Etiopia, Namibia, Bjellorusia, Azerbajxhani, Franca, etj.
Krahas garës kryesore u mbajtën edhe garat e personave që vrapojnë për rekreacion në distancat 10 dhe 15 kilometra dhe gara e personave me aftësi të kufizuara në karroca. Fondi i përgjithshëm shpërblyes për çmimet është një milion dollarë.