S’po i pëlqen fare Serbisë: Kroacia do të trajnojë Ushtrinë e Kosovës

Ekspertët ushtarak serbë të informuar mirë pohojnë se shteti kroat është i gatshëm që të ofrojë ndihmë në trajnimin e Ushtrisë së Kosovës.

Mediat serbe, ngrisin shqetësimin se Kroacia nuk do të kyçet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konkrete në krijimin e Ushtrisë së Kosovës siç ka paralajmëruar pretendenti për kryeministër Albin Kurti, por është e gatshme që të ofrojë ndihmë në trajnimin e saj, shkruan “Vecernje Novosti” serb, transmeton gazetametro.net.

Duke u thirrur në rrethet ushtarake dhe politike të informuar mirë në Zagreb, gazeta pretendon se Kroacia, megjithatë, nëse Perëndimi i jep dritë të gjelbër Prishtinës për transformimin e Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, do të ofrojë ndihmë, para se gjithash, në trajnim.

Këto burime thonë se Kroacia nuk do të përzihet në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, sidomos kur është fjala për çështjet e sigurisë dhe se do të pres të sheh se çfarë do të ndodh më tutje në rajon.

“Parimisht, bashkëpunimi ushtarak nuk është i përjashtuar. Gjithçka do të jetë si deri tani, pra ushtria kroate do t’i hap dyert për shkollimin e ushtarëve nga Kosova dhe kohë pas kohe do të organizojë edhe ushtrime”, ka thënë eksperti ushtarak i informuar mirë.

Ai ka shtuar se trajnimin e ushtarëve të Kosovës financon Kroacia, ndërsa parakusht është që ata të flasin gjuhën kroate.

“Flitet edhe për blerjen e pajisjeve ushtarake nga Kroacia, dhe më tepër se kaq nuk duhet pritur”, ka thënë ky ekspert, i cili përkujton se firmat kroate kanë punuar uniformat e Forcave të Sigurisë të tanishme të Kosovës.