Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i përbërë nga dr. Rrustem Musa, zëvëndësministër i Shëndetësisë dhe dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK, ka vizituar të premten Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Në takim me drejtorin e këtij institucioni dr. Hajrullah Saraçi, delegacioni u njoftua në lidhje me punën që po bëhet në këtë spital pas renovimit, sfidat me të cilat po përballen, por edhe me nevojat që ka institucioni për shtim të stafit mjekësor.
Drejtori Saraçi, njoftoi se Spitali me repartet që ka në funksion po punojnë me kapacitete të plota, përderisa shtroj nevojën e shtimit të kuadrit të mesëm mjekësor dhe të specialistëve tjerë, përfshirë mjekët e emergjencës, urologjisë otorinolaringologjisë dhe ortopedisë.
Dr. Rrustem Musa, zv.ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, falenderoi stafin e Spitalit për punën dhe angazhimin që po tregojnë pas rinovimit dhe paisjes me aparatura të reja mjekësore. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë do të përkrahë me kuadro mjekësore Spitalet e përgjithshme, në të cilat edhe do të jetë përqëndrimi kryesor. ” Ministria do të përqendrohet tek punësimi specialistëve tek spitalet e përgjithshme të cilat kanë më shumë nevojë” theksoi ai. Sipas tij, përkrahja e MSH për këtë Spital do të vazhdojë edhe më tutje.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, tha se kanë ardhur që nga afër të njoftohen me punën që po bëhet në këtë spital të rinovuar së fundmi, por edhe për të dëgjjuar kërkesat dhe nevojat që ka spitali. ” Do të përqëndrohemi në përkrahje të spitaleve të përgjithshme të cilat edhe mund të shndërrohen si qendra referente për profile të caktuara mjekësore. Në bashkëpunim me MSH, do kërkojmë që punësimet e mjekëve specialistë të përqëndrohen tek spitalet e përgjithshme që kanë nevoja të mëdha” u shpreh drejtori Gjocaj.
Z. Mujë Ferati, drejtor i administrates në këtë spital, tha se ka pasur vazhdimisht ulje të buxhetit nga disa kategori, përfshirë edhe kategorinë e pagave, por edhe ato komunale.
Në lidhje me kërkesat e paraqitura, u tha se gjatë rishikimit buxhetor por edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve buxhetore dhe dëgjime buxhetore do të përcjellen shqetësimet tek Ministria e Financave.
Delegacioni nga afër vizitoj disa nga repartet e spitalit dhe bisedojë me pacientët në lidhje me trajtimin që po u bëhet nga stafi mjekësor i këtij institucioni.