Spitali Pediatrik-Kirurgjik donacion 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe, drejt përfundimit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, kanë vizituar punimet në Spitalin Pediatrik-Kirurgjik.

Gjatë kësaj vizite ministri Ismaili është njoftuar se projekti tashmë ka hyrë në fazën finale.

Ministri Ismaili ka thënë se ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe se brenda pak muajve do jetë i gatshëm për të gjitha nevojat e fëmijëve.

“Sot jam jazhtëzakonisht i lumtur dhe shumë krenar derisa po e shoh që ky projekt po shkon drejt fazës finale. Kjo do të thotë që së shpejti do të kemi një spital modern, që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë”, ka thënë ministri Ismaili.

Drejtoi i ShSKUK, Basri Sejdiu, tha se ky spital do jetë një institucion me një infrastrukturë shumë moderne.

“Kualiteti dhe siguria e shërbimeve do të rritet. Spitali do të jetë i pajisur me aparaturat më moderne dhe padyshim që është një lajm shumë i mirë që tashmë projekti po shkon drejt fazës përfundimtare”, ka thënë drejtori Basri Sejdiu.

Me rreth 10 mijë metra katrorë hapësirë, ky spital që kap koston 20 milionë euro (Donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe), do të ofrojë kushte të mira për punë, rreth 100 shtretër dhe pajisje bashkëkohore për shërbime profesionale ndaj fëmijëve.