Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore për qytetarët, derisa edhe drejtori i spitalit, Arsim Emini, ka konfirmuar për Telegrafin se janë duke u punuar të gjitha analizat të cilat janë të parapara.
“Momentalisht, janë duke u punuar të gjitha analizat të cilat janë të parapara për spitalin tonë sepse jemi të furnizuar mirë me reagensa”, ka thënë Emini.
Ai theksoi edhe mungesat me të cilat po përballet sistemi shëndetësor në rajonin e Gjilanit, duke thënë se janë dy çështje të cilat i kanë parashtruar në ShSKUK.
“Për mjetet të cilat na mungojnë, ne në fillim të vitit i kemi bërë kërkesat në ShSKUK të cilët sivjet menaxhojnë buxhetin e spitaleve të përgjithshme për pajisje mjekësore”, ka thënë ai.
Emini shtoi se kërkesat të cilat i kanë adresuar në ShSKUK në lidhje me mungesat në spitalin e Gjilanit, janë mungesa e infermierëve, mjekëve dhe stafit ndihmës, si dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për të implementuar projektin për renovimin e objektit nr.1.
“Janë dy kërkesa të cilat i kemi adresuar në ShSKUK në lidhje me mungesat tona, është mungesa e infermierëve, e mjekëve dhe stafit ndihmës, si dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për të implementuar projektin tonë për renovimin e objektit nr 1., në bashkëpunim me LuxDev”, ka shtuar ai.
Emini ka theksuar se Agjencia e bashkëpunimit zhvillimor e qeverisë së Luksemburgut “LuxDev”, janë të gatshëm që të mbulojnë gjysmën e fondeve në projektin, vlera e të cilit kap shifrën prej 7 milionë eurove.
“Në të vërtet, LuxDev janë të gatshëm që të mbulojnë gjysmën e fondeve në projektin, vlera e të cilit kap shifrën prej 7 milionë eurove”, ka thënë Emini, duke theksuar se për pjesën tjetër po presin ndihmën e donatorëve të tjerë ose të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit para një muaji ka shpallur vende të lira pune në sektorin e shëndetësisë, duke ofruar mundësi të reja punësimi për profesionistët e fushës.