Spitalet e Kosovës rrezikojnë të mos arrijnë të paguajnë shërbimet e pastrimit dhe të ushqimit, si rezultat i shkurtimeve buxhetore të bëra nga ana e Qeverisë. Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të financave të SHSKUK-së.
Zvogëlimi i buxhetit për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) rrezikon të lërë pa ushqim dhe higjienë pacientët. Kjo pasi zyrtarë shëndetësorë thonë se në fund të vitit kanë rrezik me sigurimin e buxhetit për të paguar ushqimin dhe shërbimin e higjienës për pacientët e SHSKUK-së që kuadrin e saj ka të gjitha spitalet e Kosovës.
Kjo pas krizës së rëndë financiare që po përjetojnë spitalet si rezultat i shkurtimeve buxhetore që i janë bërë nga Qeveria, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Sherif Bytyqi, zyrtar i financave në SHSKUK, ka thënë për “Zërin” se me shkurtimet e bëra janë prekur shumë dikastere. Por, në fund të vitit, ai ka thënë se ekziston rreziku potencial që të mos arrijnë të kryejnë obligimet financiare në lidhje me kompanitë që po kryejnë aktualisht pastrimin e hapësirave të brendshme, por edhe për ushqimin që u servohet pacientëve.