Tahera Rahman e dinte që rrugëtimi i saj për t’u bërë gazetarja e parë televizive e mbuluar me shami në SHBA, do të ishte shumë i vështirë.
Pas diplomimit në Universitetin Loyola në Chicago, profesorët dhe kolegët e saj e pyetën nëse do të ishte e gatshme të hiqte shaminë, që përdoret nga myslimanet për të mbuluar flokët, për të fituar punën e ëndrrave të saj në gazetari, por përgjigjia e saj ishte “jo”.
“Shefi im tha: “Nuk ka problem, unë e respektoj vendimin tënd, por duhet ta dish që do marrësh shumë përgjigje negative për këtë arsye”, tregoi 27-vjeçarja për Anadolu Agency.
Dhe me të vërtetë ajo u përball me refuzime të njëpasnjëshme, duke ia hedhur poshtë të gjitha aplikimet e saj për punësim në redaksi të ndryshme lajmesh.
Ndaj ajo vendosi të mos kërkojë menjëherë pozicionin e reporteres, por të ndjekë një rrugë tjetër. Rahman fitoi pozicionin e producentes në televizionin WHBF, por kjo nuk i mjaftonte, pasi dëshironte që të qëndronte para kamerave. Aplikimet e saj sërish u refuzuan, duke i ulur në këtë mënyrë vetëbesim, të cilën vetëm e ëma mundi t’ja ngrente sërish.
Kjo e fundit insistoi shumë që e bija të punonte shumë për të arritur qëllimet e saj dhe jo të humbte në dëshpërim.
Tahera Rahman doli për herë të parë në transmetim më 8 Shkurt, duke nisur kështu historinë e saj në televizion. Shfaqja e saj me shami në kokë në një televizion të rajonit të Illinois u përkrah nga shumë njerëz nga e gjithë bota.
“Mbështetja e njerëzve ka qenë e mrekullueshme“, tha myslimania, e cila tregoi një ndër shumë mesazhet mbështetëse që ka marrë: “Jam babai i dy fëmijëve dhe jam i krishterë, por kurdo që të ndodhesh në Des Moines, dua që të vish në shtëpinë time për të ngrënë një darkë me familjen time, sepse dua që vajzat e mia të të njohin“.
Rahman nuk e di sesi do të vijojë karriera e saj, nëse do ta çojë në lajme kombëtarë apo ndëkombëtare. Gjithsesi ajo nuk po shqetësohet.
“Dua vetëm të tregoj historitë e njerëzve dhe të bëj diferencën. Do të jetë një aventurë pavarësisht gjithçkaje, inshallah”, e përmbylli spikerja e parë e lajmeve e mbuluar me shami.