“Spiderman” francez ngjit qiellgërvishtësin për 60-vjetor

Alpinisti u ngjit në ndërtesën 187 metra të lartë duke bërë thirrje për të frenuar ngrohjen globale

Alain Robert, alpinisti i quajtur ndryshe “Spiderman francez”, u ngjit në një qiellgërvishtës 48-katësh në Paris, duke përmbushur një synim që i kishte vënë vetes pasi mbushi moshën 60 vjeç.

I veshur me të kuqe, Roberti ngriti krahët lart ndërsa arriti në majë të ndërtesës 187 metra Tour TotalEnergies, e cila ngrihet mbi zonën e biznesit La Defense të kryeqytetit francez.

“Spiderman francez” donte të përdorte ngjitjen për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën për veprim në kuadër të ndryshimeve klimatike. Kullën TotalEnergies e kishte ngjitur më parë edhe disa herë të tjera por pa një kauzë të veçantë.

“Dua t’u dërgoj njerëzve mesazhin se të jesh 60 nuk është asgjë. Mund të bësh ende sport, të jesh aktiv, të bësh gjëra përrallore. Ia premtova vetes disa vite më parë se kur të mbushja 60 vjeç, do të ngjitesha përsëri në kullë, sepse 60-ta simbolizon moshën e pensionit në Francë dhe mendova se ishte një ngjitje e bukur”.

Ai filloi të ngjitej në vitin 1975, duke u stërvitur në shkëmbinjtë pranë vendlindjes së tij Valence në Francën jugore. Që atëherë, ai është ngjitur në më shumë se 150 struktura të larta anembanë botës, duke përfshirë Burj Khalifa të Dubait, ndërtesën më të lartë në botë, Kullën Eifel dhe Urën Golden Gate të San Franciskos. Duke u ngjitur shpesh pa leje, ai është arrestuar vazhdimisht.