Ballina Kuriozitete Spektakli që dhurojnë xixëllonjat

Spektakli që dhurojnë xixëllonjat

Xixëllimet e xixëllonjave janë sinjale dashurie. Ky insekt, ndër më të bukurit është ndër gjallesat tipike biolumineshente. Kjo natyrisht vjen si pasojë e mekanizmit që kanë, nga i cili marrin edhe emrin, pra ndriçimi, i dukshëm në errësirën e netëve verore.

Një spektakël sugjestionues nëpër parqe, zona rurale, kopshte apo parqe të mbrojtura, xixëllonjat dhe magjia që krijojnë, me kalimin e kohës duket sikur i shijojmë dhe vrojtojmë gjinthnjë e më pak. Një ndër faktorët është ndotja e ndriçimit, pra qytetet jane gjithnjë e me shumë të ndriçuar, por jo vetëm.

Numërohen rreth 2000 lloje të kësaj specie insekti, ndër më të bukurit. Kanë një jetë që me 4 stadet e evoluimit arrin në 2 vjet. Ushqehen me kërmij gjatë jetës së tyre, derisa arrijne moshën e pjekurisë pasi në këtë moment nuk ushqehen më pasi synimi është vetëm një: Çiftimi dhe riprodhimi.

Larvat gjatë dimrit kur kërmijtë zhduken, aktivizojnë sistemin e ibernizimit, fenomen i njohur nëe botën e kafshëve si mbrojtje ndaj kushteve të ashpra atmosferike. Pas dy dimrash, larva kthehet në xixëllonjë adulte dhe ndryshe nga uria e përhershme e saj, individi adult nuk ushqehet më.

Këtu nis një lojë mes mashkullit dhe femrës së species, e përberë nga kode ndriçimi, të cilët fluturojnë në habitatin e tyre duke lëshuar sinjalet e dritës. Janë meshkujt që i lëshojnë të parët, për të komunikuar që janë në kërkim dhe femrat i përgjigjen gjithashtu me sinjale xixëlluese, për të treguar disponibilitetin e tyre.

Në momentin që femra arrihet nga mashkulli dhe procesi i zgjedhjes ka ndodhur, para nisjes së çiftimit, femra fik dritën e saj. Pas fekondimit, vendos vezët në terren, nën bar apo myshqe, dhe pas disa ditësh vdes, sikurse dhe mashkulli i saj.

Çifti arrin të riprodhojë rreth 60-80 vezë që lëshojnë një dritë të vogël të zbehtë e pas një muaji prej tyre lindin larvat, që nisin të kërkojnë ushqim e duke i dhënë jetë kështu nisjes së një cikli të ri jete.

Natyra dhe mënyrat e saj të jashtëzakonshme tregojnë larminë e mekanizmave që gjallesat përdorin për procesin e pëlqimit, zgjedhjes, çiftimit për të arritur në synimin final, riprodhimin dhe vijimin e jetës.

Por këtë spektakël natyral e shohim gjithnjë e më pak pranë zonave tona të banuara, pasi ndotja nga dritat i largojnë ato, pasi sinjalet e tyre nuk janë të dukshme dhe nuk lexohen nga partnerët.

Ky është fenomen që haset në mbarë botën dhe gjatë viteve të fundit janë bërë një sërë përpjekjesh për të konservuar këtë specie që zbukuron gjelbërimin dhe netët duke krijuar mjediset e përshtatshme në parqe të mbrotjura, për të favorizuar ciklin vital të tyre dhe për të mbrojtur specien e bukur.

Një tjetër faktor kërcënues për xixëllonjat dhe zbukurimin e kopshteve tona, janë përdorimi i pesticideve dhe produkteve kimike që janë vdekjeprurëse për larvat e ketyre insekteve pasi zakonisht janë me gamë të gjerë.

Në shumë site turistike të posaçme për admirimin e xixëllonjave  anembanë botës, këto produkte dhe ndriçimi i tepërt evitohen në mënyrë kategorike, pikërisht për të ruajtur ekosistemin dhe ndër kryesoret janë Great Smoky Mountains në SHBA, Daan Forest Park në Taiwan, Nanacamilpa në Meksikë, në Zvicer dhe Itali disa të tillë.

Exit mobile version