Spektakli i imazhit dhe “fetarizmi” i imazhit si model.

Hoxhë Vladimir Kera

Të jesh besimtar nënkupton një formë progresive të jetesës, ku individi, si qendër e kësaj rruge, është ai që, nga skutat më të thella të shpirtit deri te shkalla më e lartë intelektuale njerëzore, ruan një ekuilibër dhe koherencë lartësimi.
Makineria e imazhit e kthen këtë proces kokëposhtë dhe përmbys progresin e njeriut, sepse ajo niset nga të jashtmet (forma) me pretendimin se rregullon edhe thelbin e individit. Imazhi, si forma më dominante e kohës, e vendos njeriun në konkurrencën e dukjes dhe jo të formimit. Në kulturën e imazhit, njerëzit janë të destinuar të krahasohen dhe vlerësohen në bazë të dukjes së jashtme. Kështu, individi nuk ka mundësinë të tentojë një lartësim brenda vetes, por e vendos veten në një garë me të tjerët, të ngulitur në dukjen e jashtme.
Kur besimi dhe feja shpalosen si imazh – pra si dukje- ato futen në konkurrencën e aparencës, duke i mohuar individit mundësinë për ta përjetuar besimin si një shkallë lartësimi nga brenda vetes. Në këtë kontekst, besimi shndërrohet në një garë me të tjerët, që matet nëpërmjet dukjes.
Në makinerinë e imazhit, njeriu bëhet gjithashtu gjykues, më i ashpër dhe e sheh botën me syrin e formës dhe dukjes. Ky lloj fetari i jep vetes autoritetin e gjykimit mbi besimin e të tjerëve, sepse niset nga imazhi i prekshëm dhe ajo që duket. Fatkeqësisht, ky lloj fetari është thelbësisht pjesë e kulturës së imazhit.
Kështu, makineria e imazhit konsumon fetarin, sepse fjalët e Zotit dhe të Profetit a.s. bëhen pjesë e imazhit, jo të meditimit dhe reflektimit të brendshëm, por si një mekanizëm krahasimi. Besimtarët nuk bëjnë gjë tjetër përveçse krahasojnë thëniet dhe tekstet fetare. Këtu nuk ka kohë për reflektim, sepse konsumi dhe makineria e imazhit nuk të lënë hapësirë për të menduar. Kjo është kultura ku fiton sasia e thënieve, ku vlen memorizimi, por jo kuptimi dhe aq më pak aplikimi i tyre.
Le të kthehemi edhe një herë te thelbi, te ajo traditë Kur’anore dhe Profetike e formimit të besimtarit. Një ndër përkufizimet më tradicionale të besimit është: “Bindje me zemër, deklarim me gjuhë dhe konkretizim me vepra”. Ky është një proces lartësimi, që ndodh nëpërmjet reflektimit të asaj që jemi realisht dhe jo thjesht të asaj që dukemi. Në këtë kuadër, individi angazhohet me veten e tij derisa zemra të jetë e pastër, angazhohet me gjuhën derisa ajo të jetë e drejtë, dhe angazhohet me veprat derisa ato të jenë të sinqerta. Këtu, njeriu nuk është thjesht një krahasues, por një ndërtues.

Hoxhë Vladimir Kera