Ballina Lajmet Kosovë Specialja nuk e lejon ish-presidentin Thaçi të marrë pjesë në varrimin e...

Specialja nuk e lejon ish-presidentin Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait

Gjykata Speciale në Hagë nuk ka lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), e cila ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht të papranueshëm.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur revoltën thellë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë si një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe një akt të qëllimshëm për të degraduar figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.” – thuhet mes tjerash në reagim.

OVL e UÇK-së e quajti vendimin “akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.”

Exit mobile version