Edhe 8 ditë ka në dispozicion Gjykata Speciale që të konfirmojë ose jo aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi, e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur tashmë.
Me 24 tetor bëhen 6 muaj, prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar këtë aktakuzë. Ligjërisht, aktakuza konfirmohet e tëra, pjesërisht ose të hedhet poshtë brenda kësaj periudhe.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuar, në një përgjigje për KOHËN, ka folur për skenarin se pse një aktakuzë e konfirmuar nuk bëhet publike.
“Rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas dorëzimit të saj. Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë moszbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur interferimet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, ka thënë Angela Griep nga ky institucion.
Në rastin e të akuzuarit, Salih Mustafa, aktakuza është konfirmuar me 12 qershor, 3 muaj para se ai të arrestohej e me pas të fillonte procesi gjyqësor.