Specialja i jep vërejtjen e fundit Haradinajt pasi dha intervista pa kërkuar leje

Nasim Haradinaj ka marrë vërejtjen e fundit nga Dhomat e Specializuara, pasi ka dhënë intervista për media pa kërkuar paraprakisht leje.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar Nasim Haradinajn që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit.

Në komunikatën për media, Trendafilova tha se i ka dhënë paralajmërimin e fundit Haradinajt për këtë, duke shtuar se “çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit”.

“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatë.

Nasim Haradinaj ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë për frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ai ishte liruar me kusht në dhjetorin e 2023-s.