Përmbytjet katastrofike në rajonin e Valencias të Spanjës kanë lënë të vdekur 51 persona, transmeton Anadolu.
Numri i fundit i viktimave, i raportuar nga Qendra për Koordinimin e Integruar Operacional të Ministrisë së Brendshme, vjen pas përmbytjeve shkatërruese të shkaktuara nga stuhia më e keqe e shekullit, sipas agjencisë meteorologjike të Spanjës.
Stuhia filloi të martën, duke lëshuar sasinë e shiut të një viti brenda disa orësh, duke shkaktuar që lumenjtë të dalin shpejt brigjet e tyre.
Rrugët dhe qytetet filluan të përmbyten, duke bërë që autoritetet të ndërpresin shërbimin hekurudhor rreth Valencias, të anulojnë fluturimet dhe përfundimisht t’u kërkojnë banorëve të qëndrojnë brenda.
Megjithatë, në kohën kur qeveria dërgoi alarme emergjente duke u kërkuar njerëzve të qëndronin brenda ose të kërkonin terrene të larta, shumë nga dëmet tashmë ishin bërë.
Teksa lumenjtë vërshonin nëpër qytete, rrugë dhe lagje, qindra njerëz u bllokuan në çatitë e shtëpive, automjeteve, qendrave tregtare ose zonave industriale. Disa madje ishin ngjitur nëpër pemë.
Banorët e dëshpëruar iu drejtuan mediave sociale për të kërkuar shpëtim pasi linjat lokale të emergjencës nuk arritën t’i përgjigjen numrit të madh të thirrjeve. E përditshmja spanjolle “El Pais” raportoi se qindra njerëz ishin ende në pritje të shpëtimit të mërkurën në mëngjes.
“Ne nuk mund të arrinim te viktimat kur ata kishin më shumë nevojë për të”, tha Jose Miguel Basset, kreu i zjarrfikësve në provincën e Valencias, për transmetuesin spanjoll RTVE, duke shtuar: “Ne ende nuk kemi qasje në të gjitha vendet që kanë nevojë për shpëtim”.
Autoritetet lokale në Valencia kanë hapur një linjë telefonike specifike për të raportuar personat e zhdukur. Banorëve ende u kërkohet të shmangin çdo udhëtim në autostradë dhe shumica e shkollave në rajonin autonom mbeten të mbyllura.
Ndërkohë, sistemi i stuhive vazhdon të lëvizë nëpër Gadishullin Iberik, me pjesën më të madhe të Spanjës verilindore dhe jugperëndimore në alarme moti për shira të dendur.
Tragedy scenes after massive flood in V-31 road of the Valencia, Spain 🇪🇦 (30.10.2024)
TELEGRAM JOIN 👉 https://t.co/9cTkji4D9Spic.twitter.com/eZF2JF3MWi
— Disaster News (@Top_Disaster) October 30, 2024