Të paktën 39 emigrantë të parregullt humbën jetën të enjten kur gomoneja e tyre u përmbyt në Ishujt Kanarie të Spanjës, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet spanjolle thanë se gomoneja, e cila mbante 40 persona dhe po përpiqej të arrinte në Ishujt Kanarie nga bregdeti i Afrikës Veriore, u gjet e përmbytur në Oqeanin Atlantik, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE.
E mbijetuara e vetme, një emigrante 30-vjeçare, u dërgua në spitalin më të afërt me helikopter, thuhet më tej.
Kohët e fundit, ka pasur një rritje të madhe të migrimit të parregullt nga brigjet e Afrikës Veriore në Ishujt Kanarie.
Mbi 230 emigrantë të parregullt kanë humbur jetën këtë vit në rrugën e rrezikshme nga Afrika në Ishujt Kanarie. /aa