Spanja do të nisë pezullimin e autonomisë së Katalonjës të shtunën, pasi udhëheqësi i këtij rajoni ka kërcënuar se do të shpallë pavarësinë.
Zyra e kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, tha se kabineti do të takohet për të aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës, i cili i lejon të marrë përsipër udhëheqjen e rajonit.
“Qeveria e Spanjës do të vazhdojë me procedurat e përshkruara në nenin 155 të Kushtetutës, për të rivendosur ligjshmëri në vetëqeverisjen e Katalonjës”, thuhet në deklartën e Zyrës së Rajoyt.
Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont, tha se Parlamenti i rajonit do të votojë për pavarësi nëse Spanja “vazhdon shtypjen”.
Pas referendumit për shkëputje, më 1 tetor – të cilin autoritetet në Madrid e kanë shpallur jokushtetues – Puigdemont ka nënshkruar deklaratën për pavarësi, por më pas e ka pezulluar atë për t’i hapur rrugë dialogut me Qeverinë spanjolle.