Spanja: Sulmet e Iz’raelit ndaj Libanit rrisin “rrezikun e lu’ftës rajonale”

Jose Manuel Albares

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se sulmet që Izraeli ka nisur në jug të Libanit “e rrisin në nivelin më të lartë rrezikun e luftës rajonale”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për radion spanjolle “CadenaSer”, Albares tha: “Ndodhemi në një periudhë ku tensionet janë në nivelin më të lartë që nga dita kur filloi lufta në Gaza. Ky konflikt i drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, ka arritur në një pikë për të cilën ne kemi paralajmëruar prej muajsh”.

“Është e mundur që lufta të zgjerohet deri në Liban dhe që ajo të shndërrohet në një luftë rajonale që mund të shkaktojë pasoja shumë serioze. Rreziku i luftës rajonale për të cilën kemi paralajmëruar që në fillim është në nivelin më të lartë”, tha ai.

“Ajo që duhet të bëhet në afat të shkurtër është sigurimi i një armëpushimi në Gaza”, theksoi Albares i cili shtoi:

“Më pas duhet të mbërrijnë pa asnjë pengesë ndihmat humanitare. Duhet të krijohet një mjedis ku mund të ndërtohet dialog mes izraelitëve dhe palestinezëve. Në fund të rrugës duhet të ketë një shtet palestinez i cili duhet të jetojë së bashku në fqinjësi të mirë me shtetin izraelit”.

Albares potencoi se objektivi dhe punimet e Izraelit janë të ngritura mbi bazën se “paqja do të vijë një ditë” dhe shumë vende të Evropës e ndajnë këtë. “Të gjithë e dinë se cila është formula. Ajo që mungon tani është vullneti politik dhe guximi për ta zbatuar atë”, tha ai.