Një javë pas përmbytjeve historike që shkatërruan provincën e Valencias, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi një paketë masive ndihme për të ndihmuar banorët dhe bizneset e prekura në përpjekjet për rindërtim dhe përshtatje me ndryshimin e klimës, raporton Anadolu.
“Ndryshimi i klimës vret dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj”, tha Sanchez, duke shtuar: “Ne do të çojmë përpara një transformim për të përshtatur territorin me emergjencën klimatike, e cila fatkeqësisht prek veçanërisht zonën tonë të dashur mesdhetare”.
Të martën e kaluar, stuhi të fuqishme shkaktuan reshje rekord, duke bërë që lumenjtë të dalin nga brigjet e tyre dhe ujërat e rrëmbyeshëm të rrjedhin me shpejtësi drejt detit. Alarmet e urgjencës mbërritën shumë vonë dhe banorët në shumicën e zonave u kapën në befasi.
Të paktën 217 kufoma janë gjetur dhe autoritetet janë ende duke u dhënë përparësi misioneve të kërkimit dhe shpëtimit. Numri i të zhdukurve ende nuk është bërë publik.
Një personel ushtarak dhe policë prej gati 15 mijë personash janë në terren duke punuar për të gjetur të zhdukurit, për të ruajtur sigurinë dhe për të rivendosur higjienën dhe shërbimet bazë në zonat e prekura.
“Ka ende njerëz të zhdukur që duhet t’i gjejmë, shtëpi dhe biznese që janë shkatërruar, të groposura nën baltë, si dhe shumë njerëz ende kanë mungesa të mëdha”, pranoi ai në një konferencë për media.
Shumë nga masat financiare të shpallura sot janë masa të përshtatura nga pandemia e COVID-19. Sanchez njoftoi transferime të drejtpërdrejta parash për shtëpitë dhe bizneset e prekura, miliarda euro kredi të mbështetura nga qeveria dhe lehtësime të konsiderueshme fiskale.
Sanchez tha se pagesat e sigurimeve pritet të arrijnë një shifër të paprecedentë prej 3.5 miliardë euro dhe se 70 mijë kërkesa janë bërë tashmë. “Spanja gjithmonë i ka ofruar ndihmë Bashkimit Evropian kur ka pasur nevojë, por tani, Spanja po kërkon ndihmë”, tha Sanchez, duke njoftuar se vendi ka kërkuar ndihmë nga Fondi i Solidaritetit të BE-së.
Mungesa e parandalimit dhe përpjekjet e ngadalta të pastrimit janë kritikuar nga të mbijetuarit nga përmbytjet dhe familjet e tyre.
Të dielën, Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, kryeministri Sanchez, si dhe kreu i rajonit të Valencias, u sulmuan nga një turmë e zemëruar teksa vizitonin një qytezë të goditur rëndë. U hodhën baltë dhe ofendime ku u godit edhe Sanchez, ndërsa një automjet zyrtar u dëmtua.
Teksa Sanchez e pranoi zemërimin si legjitim, ai tha se grupet radikale u dyndën në vendngjarje “për t’u bërë sa më shumë dëm autoriteteve që ishin atje”.
“Jam mirë dhe ata nuk do ta largojnë vëmendjen time nga ajo që është e rëndësishme, qytetarët e prekur”, shtoi ai.