Spanja i cilëson “marrëzi” akuzat e Izraelit për shkak të mbështetjes ndaj Palestinës

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, i cilësoi si “marrëzi” akuzën e bërë nga zyrtarët e qeverisë izraelite se “ata po shpërblejnë terroristët” për shkak se vendi i tij mbështet njohjen e shtetit të Palestinës, transmeton Anadolu.

Albares mori pjesë në programin e radios spanjolle “Cadena Ser” dhe reagoi ndaj kritikave të qeverisë izraelite lidhur me përpjekjet e Spanjës e cila ka nisur një iniciativë me Maltën, Slloveninë dhe Irlandën për njohjen e shtetit të Palestinës.

“Qëndrimi politik i Spanjës ka luajtur rol kyç që nga dita e parë. Ne dënojmë aktet terroriste të Hamasit. Hamasi nuk është partner i paqes, por populli palestinez ka të drejtën për një tokë dhe një shpresë. Dhe kjo nuk është një situatë që nuk pajtohet me të qenit mik me shtetin e Izraelit”, tha Albares duke shtuar se:

“Shteti i Palestinës është garancia më e madhe e sigurisë së shtetit të Izraelit”.

Lidhur me akuzat e disa zyrtarëve të qeverisë izraelite se Spanja po “i shpërblen terroristët duke ndihmuar në njohjen e shtetit palestinez”, Albares tha: “Të kombinosh të dy gjërat është marrëzi”.

Ai thekson se vendimi i marrë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim urgjent në Gaza ka “një vlerë të madhe”, Albares njoftoi se “Dhuna në Gaza nuk mund të vazhdojë as edhe një ditë”.

– “(Lufta Rusi-Ukrainë) As BE, as NATO dhe as Spanja nuk po përgatiten për luftë”

Në përgjigje të pyetjes lidhur me rrezikun e përhapjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës në vendet e tjera të Evropës, Albares tha: “Ka luftë agresive nga Rusia drejt Ukrainës. As BE, as NATO dhe as Spanja nuk po përgatiten për luftë. Sepse nuk janë agresivë, janë aleancë mbrojtëse. Spanja ose ndonjë vend tjetër nuk planifikon të dërgojë ushtarë në Ukrainë. As edhe Ukraina nuk kërkon ushtarë, kërkon gjëra të tjera”.