Spanja i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga Siria dhe Libani për stabilitet dhe paqe në rajon

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, i bëri thirrje Izraelit që të tërhiqet ‘nga Siria dhe Libani” për të arritur stabilitet dhe paqe në rajon, transmeton Anadolu.

“I bëj thirrje Izraelit që të tërhiqet nga Siria dhe Libani. Kjo do të kthejë sovranitetin dhe do të garantojë stabilitet, dhe për rrjedhojë paqen për të gjithë”, tha Albares në një panel diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

Ai tha se ka “një shans real për paqe, për stabilitet dhe në të ardhmen, për prosperitet për popullin e Libanit dhe Sirisë”.

“Mendoj se nëse i ndihmojmë, kemi një shans real për t’i dhënë stabilitet dhe një të ardhme një vendi ku 90 për qind e njerëzve jetojnë nën pragun e varfërisë”, tha ministri spanjoll.

Ai u zotua se Spanja do të “ndihmojë në të gjitha këto” dhe do të lobojë në Bruksel që gjërat të shkojnë në këtë drejtim.

– Lufta në Ukrainë

Ndërkaq, ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, tha se është “shumë e sigurt se do të ketë një marrëveshje paqeje këtë vit” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ajo akuzoi Rusinë se nuk donte të kishte paqe në dekadën e fundit, duke thënë: “Sepse përndryshe, është e qartë se ata nuk do të kishin pushtuar një vend fqinj, nuk do të kishin shkelur hapur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB-së”.

– “Rrugë e gjatë për të përshkuar” në Lindjen e Mesme dhe Siri

Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, tha se armëpushimi në Gaza tregoi se “çdo gjë mund të zgjidhet përmes bisedimeve, përmes angazhimit dhe përmes negociatave”.

Ai shtoi se ka një “rrugë të gjatë për të përshkuar drejt stabilitetit” në Siri pas rënies së regjimit të Bashar Asadit.

“Por ne kemi shpresë. Kemi besim te populli sirian”, tha ai.

Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, nga ana e tij, tha se është “optimist i rezervuar” për Sirinë dhe këshilloi të ndihmohet administrata e përkohshme që “trashëgoi një vend të shkatërruar pa institucione të vërteta”.

Ministri saudit tha se nuk e sheh “administratën e re të SHBA-së si kontribut në rrezikun e luftës”. Përkundrazi, tha ai, “presidenti Trump ka qenë mjaft i qartë se ai nuk favorizon konfliktin”.

Në takimin e 55-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) me temën “Bashkëpunimi në Epokën Inteligjente”, u mbajtën sesionet e para sot, duke u fokusuar në politikat e reja të SHBA-së, tregtinë dhe ndryshimet klimatike, ndër të tjera.