Spanja ka siguruar kalimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian “Euro 2020” pas fitores ndaj Kroacisë.
Spanjollët pas plotë 120 minutave lojë, triumfuan me rezultat 3 – 5, shkruan lajmi.net.
Spanja qysh nga minuta e parë dominoi në të gjitha aspektet edhe pse Kroacia kaloi e para në epërsi.
Një gafë e bërë nga portieri Unai Simon që nuk e pranoi topin e Pedrit (20′), bëri që kroatët të jenë në avantazh.
Por, Spanja barazoi rezultatin përmes Pablo Sarabia, që shënoi pas një topi të kthyer (38′), rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Edhe 45-mintuëshi i dytë u dominua plotësisht nga Spanja.
Fillimisht, Cesar Azpilicueta u asistua për mrekulli nga Torres dhe lehtësisht me kokë realizoi për të vendosur Spanjën në epërsi (57′).
Për golin e tretë u përkujdes Ferran Torres që pranoi një top të bukur nga Pau Torres dhe e konkretizoi në gol këtë kundëraksion të shpejtë (77′).
Pavarësisht dy golave disavantazh, Kroacia nuk u dorëzua dhe arriti të shënonte dy herë për të dërguar lojën në vazhdime.
Orsic ngushtoi epërsinë (85’), derisa Pasalic në minutat shtesë realizoi për rezultatin 3 – 3 (90+2).
Sidoqoftë, edhe në vazhdime, Spanja ishte më e mirë. Ishte sulmuesi Alvaro Morata që realizoi supergol pas harkimit të Olmos (100’) për t’i dhënë prapë avantazhin “La Rojas”.
Pas vetëm tre minutave, Oyarzabal shënoi për epilogun përfundimtar, Kroaci 3 – 5 Spanjë.
Tani, Spanja në çerekfinale do përballet me fituesin e takimit, Francë – Zvicër, që nis në ora 21:00.