Sot votohet Qeveria Kurti

Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të votuar qeverinë e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, koalicion ky që u arrit pas katër muaj negociatash.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë që morën më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit, kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë fund ngërçit politik për shkak të mos pajtimeve rreth ndarjes së posteve.

Këto dy parti janë pajtuar që qeveria e re të ketë 15 ministri, duke bërë që secila prej tyre të udhëheqë me nga gjashtë ministri, posti i kryeministrit t’i takojë Vetëvendosjes, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa tri ministri do t’iu takojnë minoriteteve.

Sa i përket postit të presidentit, e cila ka qenë temë e nxehtë e negociatave të deritanishme, LVV dhe LDK kanë vendosur që kjo çështje të mbetet për t’u diskutuar më vonë.

Në zgjedhjet e tetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 29 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 28, transmeton KosovaPress.

Qeveria e Kosovës konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i bije që së paku duhet t’i ketë 61 vota.

Kushtetuta e Kosovës parashikon edhe procedura të tjera në rast se Qeveria nuk merr shumicën e votave të nevojshme.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetutë.

Po ashtu, theksohet se anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Ndërsa, teksti i betimit është i rregulluar me ligj.

Kushtetua ka paraparë edhe ministritë dhe përfaqësimin e minoriteteve