Ballina Lajmet Kosovë Sot votohet projektrezoluta për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Sot votohet projektrezoluta për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Kuvendi i Kosovës dje mbajti një seancë të jashtëzakonshme ku në rend të ditës ishte debati parlamentar për vlerat e UÇK-së. Në fund të kësaj seance të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, u vendos që seanca e jashtëzakonshme të vazhdojë nesër, ku do të bëhet votimi për projektrezolutën rreth vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancë, e cila zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes kishte debate të shumta, si dhe tensione mes deputetëve. Ndërkaq, gjatë saj u theksua përkrahja ndaj luftës së UÇK-së, si dhe kundërshtimi i dënimit që u është shqiptuar “Grupit të Drenicës” dhe luftëtarëve të tjerë.

Projektrezoluta është hartuar nga një komision punues, i formuar nga partitë parlamentare, përkatësisht nga deputetët, Ilmi Reçica, nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Kikaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. Ky grup harmonizoi draftrezolutën e cila do të votohet nesër.

Seanca e sotme është mbajtur me kërkesë të 40 deputetëve nënshkrues dhe me inicimin e Partisë Demokratike të Kosovës, pas konfirmimit të Gjykatës së Apelit për dënimet ndaj të akuzuarve në rastin “Drenica II”, ku në mesin e të dënuarve është edhe deputeti Fadil Demaku, nga radhët e PDK-së.

Exit mobile version