Sot votohet në Kuvend Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Kjo, me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme.Kërkesën për mbajtjen e kësaj seance e kanë nënshkruar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Projektligji ka kaluar me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trustit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.