Sot varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës

Sot do të varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës e cila cilësohet si tragjedia më e madhe njerëzore e përjetuar pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëntë viktimat e identifikuara që janë vrarë në gjenocidin në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë në veriperëndim të Bosnjë e Hercegovinës do të prehen në paqen e përjetshme pas faljes së namazit të xhenazes sot në varrezën përkujtimore Potoçari.

Përpara ceremonisë me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit do të mbahet një program përkujtimor ku do të shfaqen mesazhet me pamje të dërguara nga shumë liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në mesin e viktimave të gjenocidit që do varrosen sot janë Salko Ibisheviç, i cili ishte më i riu 23-vjeçar kur u vra dhe Hasan Peziç më i vjetri në moshën 70-vjeçare.

Moshat dhe viktimat e tjera që do të varrosen sot janë si më poshtë:

“Sead Hasanoviç (24), Alija Suljiç (26), Hasib Hasanoviç (25), Zuhdija Avdagiç (48), Bajro Salihoviç (52), Ibrahim Zukanoviç (54), Kemal Musiç (27)”.

Në varrezën përkujtimore Potoçari deri më sot janë varrosur 6.643 viktima të gjenocidit ndërsa pas ceremonisë mortore sot kjo shifër rritet në 6.652.

– Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Pas pushtimit të Srebrenicës më 11 korrik 1995 nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiçit, civilët boshnjakë që u strehuan tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) iu dorëzuan serbëve.

Serbët të cilët lejuan kalimin e grave dhe fëmijëve në zonën nën kontrollin e ushtarëve boshnjakë, masakruan në pjesën e pyllit, në fabrika dhe depo të paktën 8.372 meshkuj boshnjakë të cilët u varrosën nëpër varreza masive.

Trupat e viktimave që gjenden gjatë punimeve që filluan pas luftës për gjetjen e të humburve, pas identifikimit varrosen në varrezën përkujtimore Potoçari çdo vit më 11 korrik.