Sot protestohet kundër Jeremiqit sekretar i përgjithshëm i OKB-së

Sot në Prishtinë do të mbahet një protestë gjithëpopullore kundër zgjedhjes së Vuk Jeremiqit për sekretar të përgjithshëm të OKB-së.

Organizatoret e protestës së sotme, Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina kanë njoftuar se janë kryer përgatitjet finale për organizimin e kësaj proteste që do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ato thanë se protesta është gjithëpërfshirëse dhe se pritet pjesëmarrje masive e popullit, kjo sepse sipas tyre, ata e kanë mundësinë më të mirë që edhe një herë pas shumë vitesh t’i bashkojnë forcat kundër njeriut që e mohon pavarësinë dhe ekzistimin e shtetit tonë.

Protesta kundër Vuk Jeremiqit, pritet të jetë protesta e parë që do t’i mbledh të gjitha subjektet politike, OJQ-të dhe aktivistët e shoqërisë civile për një kauzë të përbashkët.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të mbështesë këtë protestë. Pjesëmarrjen në protestë e kanë konfirmuar edhe pjesëtarë nga shoqëria civile, publicistë e gazetarë.