Kjo foto e Marsit të 1945, në arkivat e UN, është marrë në “kampet e refugjatëve Çam” në qytetin e Kavajës.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit dhe Dinjitetit të Viktimave të Gjenocidit: Dita kur bëhet thirrje për Drejtësi, Kujtesë dhe Përgjegjësi
Sot, nën hijen e reflektimit dhe nën dritën e angazhimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përulemi para kujtimit të viktimave të gjenocidit – një krim që shkel vetë themelet e njerëzimit.
Kjo ditë është një thirrje për të mos harruar dhe për të vepruar, një premtim për të parandaluar krimet që errësojnë ndërgjegjen tonë kolektive.
Në dhembjen e Çamërisë, gjejmë thirrjen për drejtësi të një populli që i ka treguar historisë se nuk mund ta lërë në harresë.
Në varret e Kosovës dhe të Bosnjës dëgjojmë zërin e një tragjedie që na kujton se paqja dhe drejtësia nuk janë të dhëna, por kërkojnë përpjekje të pandërprera.
Në sytë e popullit Palestinez shohim dëshirën e një kombi për liri, ndërsa vuajtjet e tyre na kujtojnë se humanizmi dhe politika mund dhe duhet të jenë një.
Kur’ani Famëlartë, na kujton: “Kush vret një njeri të pafajshëm, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin. Dhe kush shpëton një njeri, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.” (Surja El-Maide, 5:32).
Kjo thënie qiellore na thërret që të mbrojmë çdo jetë njerëzore, të refuzojmë urrejtjen dhe të angazhohemi për drejtësi dhe paqe.
Diplomacia ndërkombëtare na kujton se:“Heshtja përballë padrejtësisë është një akt bashkëpunimi me tiraninë.”
Si shoqëri dhe si politikë, historia na kujton se heshtja dhe verbimi përballë krimeve kundër njerëzimit, na faturon me listimin e shpejtë në radhët e po të njetave fate.
Kjo ditë si një angazhim për të ardhmen, na mëson se kujtesa nuk është një barrë, por një forcë.
Kujtesa për viktimat e gjenocidit nga Çamëria në Kosovë, nga Bosnja në Palestinë, Mianmar, Siri, Darfur, Rwanda etj, është një thirrje për të luftuar për një botë më të drejtë.
Nëse drejtësia nuk është për të gjithë, ajo nuk është drejtësi.
Sot, ne përkujtojmë për dinjitetin e atyre që humbën jetën, për drejtësinë për ata që mbijetuan dhe për të ardhmen e një politike që respekton jetën, lirinë dhe njerëzimin.
“Zoti nuk ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten.”
(Kurani, Surja Er-Ra’d, 13:11).
Edlira Durmishaj