Sonte finalja e Ligës së Kampionëve, Real Madridi dhe B. Dortmundi, në garë për trofeun e çmuar

Titulli i 15-të evropian për Real Madridin apo i dyti për Borussia Dortmundin? Finalja e Ligës së Kampionëve të edicionit 2023/2024, Borussia Dortmund – Real Madrid, pritet të jetë e zjarrtë.

Zhvillohet të shtunën prej orës 21:00 në “Wembley”, më pak se dy javë para fillimit të Kampionatit Evropian.

Championsi ka ofruar shumë drama e shumë ndeshje të mëdha këtë edicion. Dhe e tillë pritet të jetë edhe finalja në “Wembley”. Për shkak të kaluarës së shkëlqyer në Champions dhe forcës që ka në skuadër, Real Madridi vlerësohet favorit. Por Dortmundi ka eliminuar favoritë rrugës për në finale dhe synon triumfin e madh.

Real Madridi është bindshëm skuadra më e suksesshme në garën elitare kontinentale. I ka plot 14 trofe evropiane, dyfish më shumë se Milani që është i dyti në listë. Së fundi Championsin, madrilenët e kanë fituar në vitin 2022.

Dortmundi e ka një trofe në Champions, atë të vitit 1997. Në finale ishte paraqitur edhe në vitin 2013, por kishte pësuar humbje.

Real Madridi ka fituar titullin në La Liga, të 36-in në histori. Dhe tani vazhdon të forcojë rekordin në Champions.