Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencë për media ku u shpalosën rezultatet nga hulumtimi i katërt i opinionit publik lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, “Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve”.
Jeta Krasniqi nga KDI ka bërë të ditur se nëpërmjet këtij sondazhi janë adresuar çështje që ndërlidhem me të ardhmen e këtij procesi si pritshmëritë e qytetarëve për rolin dhe ndikimin e Presidentit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, rolin që Kuvendi duhet ta luaj në këtë proces si dhe rolin e BE-së për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve.
Gjithashtu ka thënë se KDI, ka pyetur qytetarët se çfarë nënkupton për ta normalizimi i marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
Ajo ka potencuar se të gjeturat e sondazhit nxjerrin në pah se shqiptarët dhe serbët e kuptojnë drastikisht ndryshe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Rreth 71% e qytetarëve vlerësojnë se element kryesor për normalizim i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është kërkim falja për krimet e luftës nga ana e Serbisë.
Rreth 60% e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë e interpretojnë normalizimin si mos pengim të njëra-tjetrës palë në rrugëtimin evropian apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pa pasur nevojë që shtetet të njohin njëra-tjetrën.
Ndërsa të anketuarit nga komuniteti shqiptar (73%) dhe komunitetet e tjera (68%) elementare për normalizim marrëdhënies vlerësojnë se është kërkim falja nga ana e Serbisë për krimet e luftës në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.
Më tej ka theksuar se bazuar në të gjeturat nuk pritet ndryshim i madh i dialogut me përfshirjen e presidentit Thaçi.
“Janë 33% e të anketuarve, të cilët vlerësojnë se dialogu do të vazhdoj të mbetet i njëjtë, dhe 27% e tyre që kanë deklaruar se Presidenti Thaçi nuk do të përmirësoj nivelin e bisedimeve me Serbinë e as nuk do të arrijë të garantojë transparencë dhe gjithëpërfshirje.
Pra, shumica e qytetarëve përkatësisht 60% nuk presin që përfshirja e Presidentit Thaçi të jetë garanci për një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës”, theksoi Krasniqi.
Sa i përket Kuvendit, të anketuarit vlerësojnë se ky institucion duhet të ketë rol më të fuqishëm në procesin e dialogut.
“Afërsisht gjysma e qytetarëve përkatësisht 48% e tyre vlerësojnë që Kuvendi i Kosovës duhet të kërkoj raportim të rregullt dhe transparencë nga Ekipi Negociator, nga Presidenti dhe Qeveria, para dhe pas çdo raundi të bisedimeve të zhvilluara në Bruksel”, ka thënë Krasniqi.
Bazuar në sondazh, BE duhet të bëhet garantuese e marrëveshjeve. Rreth 76% e qytetarëve ndajnë mendimin që BE duhet të bëhet garantuese e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vendosur sanksione/kushtëzuar palët që nuk i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit.
Marrë për bazë këto të gjetura KDI, i rekomandon Kuvendit të Kosovës t’i japë legjitimitet fazës së re të dialogut me anë të miratimit të një Rezolute e cila përcakton përbërjen e ekipit negociues, çështjet të cilat duhet të diskutohen dhe përfshirjen e këtij institucioni në këtë proces.
KDI rekomandon që faza e re e dialogut Kosovë-Serbi të garantojë gjithëpërfshirje të spektrit politik vendor dhe shoqërisë civile për ndërtimin e një platforme të përbashkët të shtetit të Kosovës në këto bisedime.
Po ashtu bazuar në këtë sondazh KDI, rekomandon që të ndërtohet një platformë e qartë dhe e mirëdefinuar e diskutimeve mbi bazën e një diskutimi të gjerë institucional dhe qytetar për të garantuar gjithëpërfshirje dhe transparencë duke artikuluar qartë epilogun e pritshëm të këtij procesi.
Kurse marrëveshjet e arritura duhet të kenë mekanizma zbatues, afate kohore të përcaktuara qartë si dhe një rol të shtuar të BE-së në garantimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe ndëshkimit të palëve në rrugëtimin e tyre drejtë BE-së për moszbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura./Mesazhi/