Gjermanët janë të ndarë nëse vendi duhet të mirëpresë emigrantët e bllokuar në kufirin midis Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian në një krizë që besohet të jetë krijuar nga Minsku.
Tensioni ka qenë i lartë në kufirin polako-bjellorus për javë të tëra pasi emigrantët dynden drejt kufirit të jashtëm të BE-së me shpresën për të hyrë në bllok.
BE-ja akuzoi presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, se ka lejuar emigrantët të hyjnë në Bjellorusi dhe më pas të vazhdojnë në kufirin e vendit me BE-në, në një përpjekje për të krijuar një krizë të re migracioni si hakmarrje për sanksionet e BE-së kundër qeverisë së tij.
Shumë nga ata që janë bllokuar tani midis Bjellorusisë dhe Polonisë janë nga Iraku, Jemeni, Siria, Afganistani ose Irani, shumë prej të cilëve shpresojnë të arrijnë në Gjermani.
Numri i hyrjeve të emigrantëve të paligjshëm në Gjermani nga Polonia gjithashtu është rritur ndjeshëm që nga vera.
Ndërkohë, një krizë humanitare po zhvillohet me shpejtësi në kufi, pasi ata në kampet informale vuajnë nga temperaturat në rënie.
Sipas një sondazhi të ‘’YouGov’’, rreth 45% e gjermanëve kundërshtojnë mirëseardhjen e disa migrantëve gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil, ndërsa vetëm 9% e të anketuarve ishin në favor të lejimit të migrantëve për të aplikuar për azil në Gjermani. /atsh