Dy të tretat e evropianëve duan që BE-ja të marrë një rol më të fortë në mbrojtjen e tyre nga krizat globale dhe kërcënimet e sigurisë, ka treguar një sondazh i Eurobarometrit e publikuar të martën, transmeton Anadolu
“Kjo është një thirrje e qartë për veprim, të cilës ne do t’i përgjigjemi. Evropa duhet të jetë më e fortë në mënyrë që qytetarët tanë të ndihen më të sigurt”, tha në një deklaratë presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.
Mbrojtja dhe siguria janë shfaqur si prioriteti kryesor i politikës, me 36 për qind të të anketuarve që kanë thënë se BE-ja duhet të fokusohet më së shumti në këtë fushë.
Shtatëdhjetë e katër për qind e evropianëve thanë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE – niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i sondazhit në 1983.
Të anketuarit kanë përmendur rolin e BE-së në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë si arsye kryesore për këtë pikëpamje.
Sondazhi ka treguar gjithashtu se evropianët besojnë në masë të madhe se blloku duhet të jetë më i bashkuar dhe më i përgatitur për të përballuar sfidat globale.
Situata ekonomike mbetet një shqetësim i madh. Pas mbrojtjes dhe sigurisë, të anketuarit kanë renditur konkurrencën, ekonominë dhe industrinë si prioritetin e dytë më të lartë.
Një e treta kanë thënë se presin që standardi i tyre i jetesës të bjerë gjatë pesë viteve të ardhshme – një rritje prej shtatë pikësh krahasuar me sondazhin e verës.
Të pyetur se cilat vlera duhet t’i ketë përparësi Parlamenti Evropian, të anketuarit kanë renditur paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut si tre të parat.
Sondazhi i Eurobarometrit i Parlamentit Evropian në dimrin e vitit 2025 është kryer në të 27 vendet anëtare të BE-së nga 9 janari deri më 4 shkurt.