Një sondazh i realizuar nga Instituti për Tjetërsimin dhe Përkatësinë në Universitetin e Kalifornisë, në Berkeley të SHBA-së, nxori në pah se 67,5% e myslimanëve të anketuar kanë pasur përvojë të hidhur me islamofobinë të paktën një herë në jetën e tyre.
Sondazhi tregoi gjithashtu se norma e ekspozimit me qasje islamofobe arrin në 76,7% tek gratë myslimane, ndërkohë që tek burrat është më e ulët: 58,6%.
Të paktën 33% e pjesëmarrësve në sondazh theksuan se kanë zgjedhur të fshehin identitetin e tyre fetar në disa vende që të mos ekspozoheshin ndaj akteve të islamofobisë, ndërsa 88,2% e tyre vazhdojnë të shmangnin fjalime dhe veprime të caktuara nga frika se mos përballen me reagime.
Shkalla e njerëzve që përpiqen të fshehin identitetin e tyre fetar, është veçanërisht e theksuar në grupmoshën 18-29 vjeç, me rreth 45%.
“Ky sondazh, i kryer dy dekada pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, të cilat çuan në një rritje të krimeve të urrejtjes dhe nxitën politika qeveritare që synonin myslimanët, siguron një pasqyrë të përvojave, realiteteve të jetuara dhe ndikimeve psikologjike të islamofobisë në miliona banorë amerikanë. Sondazhi po ashtu tregon se një mysliman, edhe nëse nuk përballet direkt me sjelljen islamofobe, është i ekspozuar ndaj një atmosfere ku islamofobia në media dhe në kulturën tonë pas 11 shtatorit u krijon myslimanëve një ndjenjë të vëzhgimit, gjykimit ose përjashtimit”, deklaroi Elsadig Elsheikh, drejtor i Programit Global të Drejtësisë në Institutin për Tjetërsimin dhe Përkatësinë, në Berkeley.
Rreth 73% e myslimanëve të anketuar mbajnë marrëdhënie të përditshme me jomyslimanët pavarësisht qasjeve islamofobe në shoqëri dhe 93,7% e konsiderojnë të rëndësishme pranimin e fëmijëve të tyre si amerikanë.
Gjithsej 1mijë e 123 myslimanë, afërsisht gjysma gra dhe gjysma burra, morën pjesë në sondazh. Të anketuarit, nënshtetas dhe rezidentë, jetojnë dhe/ose punojnë në SHBA. Në mesin e tyre ka myslimanë të moshave, niveleve arsimore dhe përkatësive kombëtare e etnike të ndryshme. Sondazhi përbëhej nga mbi 60 pyetje.
Popullsia myslimane që jeton në SHBA vlerësohet të jetë rreth 3,5 milionë. /trt