Për herë të parë në histori, sonda kineze bëri ulje të suksesshme në Hënë dhe filloi të mbledhë mostrat e Hënës, raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kombinimi zbarkues-ngritës i sondës hënore kineze Chang’e-5 u ul me sukses në fushën e madhe vullkanike Oceanus Procellarum ose “Oqeani i Stuhive”, në anën e afërt të Hënës të martën në mbrëmje, citoi “Global Times” Administratën Kombëtare Hapësinore të Kinës.
Gjatë uljes, kamera e sondës gjithashtu bëri një foto të zonës së uljes.
Sonda ateroi në Hënë tetë ditë pasi u ngrit nga provinca Hainan e Kinës Jugore më 24 nëntor.
Kjo ngjarje ishte ulja e tretë e suksesshme e Kinës në satelitin natyror të Tokës, pas sondës Chang’e-3 më 14 dhjetor 2013, dhe aterimi i parë historik në anën e largët të hënës nga sonda Chang’e-4 më 2 janar 2019.
Vendi i uljes, besojnë shkencëtarët, përmban shkëmbinj dhe dhé që janë të vjetër 3.2 deri në 4 miliardë vjet. Asnjëherë nuk është vizituar nga një sondë apo njeri dhe besohet se plotëson një boshllëk të rëndësishëm për shkencëtarët për të kuptuar më mirë natyrën vullkanike të Hënës.
“Mbledhja e mostrave në një trup qiellor normalisht kombinon kovën e eskavatorit dhe shpuesin, pasi që materialet në sipërfaqe janë zakonisht shumë të komplikuara për t’u analizuar për shkak të të gjitha llojeve të efekteve të motit në hapësirë, dhe janë dheu, ndërsa shkëmbinjtë nën sipërfaqe janë më të vlefshme për të studiuar”, citoi “Global Times”, të ketë thënë Wang Yanan, zhvilluesi i misionit të Korporatës së Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore Kineze.
Sistemi i përmirësuar i shpimit ka realizuar një normë suksesi prej 70 për qind për mbledhjen e mostrave integrale, shtoi ai.
Pas uljes së lehtë, ngritësi i sondës do të ngrihet nga sipërfaqja e Hënës, duke shënur një tjetër rast të parë për Kinën. Më vonë do të takohet dhe do të ankorohet me modulin orbital në orbitën hënore rreth 380 mijë kilometra larg Tokës, gjë që nuk është bërë më parë.
Kapsula e rihyrjes më pas do të kthejë materialin hënor në vendin e paracaktuar të uljes në Rajonin Autonom të Mongolisë të Kinës Veriore për studim dhe hulumtim të mëtejshëm.