Portat e mirësisë dhe mundësitë e përfitimit madhështor të shpërblimeve në muajin e bekuar Ramazan janë magjepsëse. Besimtarët gjatë gjithë këtij muaji çelikosin besimin e tyre dhënë Zotit, për të qenë të përkushtuar në adhurime dhe që ndaj urdhrave të Tij të jenë tejmase konsekuentë. Vigjilenca e tyre arrin kulmin, saqë nuk lejojnë që t’ju ikë asnjë çast e asnjë mundësi në këtë muaj pa e marrë hisen e tyre të shpërblimit në të. Ata, në njërën anë agjërojnë, falin namaz, e shtojnë masën e mirësjelljes dhe bujarisë së tyre, ndërsa në anën tjetër braktisin veset e liga dhe i kthehen karakterit të tyre për ta gdhendur nga të gjithë ato veti të liga që e ndiejnë vetën të rënduar prej tyre për muaj e vite me radhë. Nisen nga thirrja fisnike që bëhet në fillim të muajit Ramazan, siç na e kumtoi i Dërguari ynë, Muhamedi a.s.: “…o ti që aspiron të mirën, mësyja (tanimë pa hezitim) asaj, dhe o ti që synon ndonjë vepër të ligë, ndaloje veten (nga ajo)…. (Ibën Maxheh, 1642 dhe Hakemi, 1532).
Ashtu siç myslimanët me pietet bëjnë përpjekje në këtë muaj që ta pastrojnë shpirtin e tyre nga mëkatet, po ashtu janë të kujdesshëm që t’i pastrojnë edhe pasuritë e tyre duke dhuruar zekatin, sadekatul fitrin, por jo vetëm, për të dëshmuar kështu fisnikërinë e tyre në këtë muaj të Fisnikërisë Hyjnore të Zotit Fuqiplotë.
Në vorbullën e paqartësive që ngritën kohë pas kohe, rreth formës së organizimit të aparatit inkasues dhe distribuues të zekatit, duhet vënë pikat mbi shkronja e të themi qartazi se zekati, si çështje e ndjeshme, meqë ka të bëjë me pasuritë, kurrë nuk është llogaritur thjesht një lloj bamirësie individuale e lënë kuturu. Ai është një organizim dhe mekanizëm i kulluar shoqëror, për të cilin në rrethana të mirëqena duhet kujdesur shteti. Pra, shteti islam ishte ai që në epokat e të kaluarës islame merrte përsipër edhe inkasimin, por edhe distribuimin – shpërndarjen e pasurive zekatore.
Ajeti kuranor lidhur me këtë dilemë ishte i prerë, duke ngarkuar me këtë mision të Dërguarin e Allahut a.s. në cilësinë e tij prej një udhëheqësi shtetëror, kur Zoti i tha: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë-sadaka që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta…” (Et Tevbe, 103). Mirëpo në mungesë të ekzistencës së konceptit të organizimit të tillë shtetëror, mbesin ministritë e çështjeve fetare në sistemet bashkëkohore në botën islame, e te komunitetet fetare islame në Evropë, janë bashkësitë fetare islame, organizmat që llogariten më të denjat për ta kryer këtë detyrë.
Të rikthejmë në vëmendje faktin se i Dërguari i Allahut, në cilësinë e tij prej një udhëheqësi të shtetit, nuk lejonte boshllëk institucional në këtë fushë, por autorizonte dhe mandatonte zyrtarisht njerëz të besueshëm për ta mbledhur zekatin. Kështu bëri me Ebi Mesudin-Ukbetu bin Amërin r.a., pastaj Muadh bin Xhebelin r.a., kur këtë të fundit e dërgoi në Jemen, e shumë të tjerë. Kësisoj vazhdoi tradita më pas edhe nga kalifët e drejtë.
Kjo e shtyri Imam Maverdiun, shkollarin klasik, i cili i detajoi qysh herët normat e një qeverisjeje të mirëfilltë islame, e i cili kur foli për këtë çështje tha: “Nuk ka dyshim se kur pagesa e zekatit bëhet tek udhëheqësi islam, ose personi i autorizuar prej tij, kjo e shkarkon pronarin e pasurisë në mënyrë të drejtpërdrejtë (nga obligimi i zekatit).” (El Havij el Kebir, 3/184). Ndërsa Ibën Hazmi ishte ende më konciz kur theksoi se: “I gjithë ymeti islam janë pajtuar që nuk pranohet si inkasant-mbledhës i zekatit secili që për vete thotë unë jam mbledhës i zekatit. Pra cilido që del për të mbledhur zekatin pa e ngarkuar atë prijësi legjitim, i tilli nuk llogaritet prej inkasantëve-mbledhësve të ligjshëm të zekatit.” (El Muhala, Ibën Hazëm (6/149).
Koncepti racional i instucionalizimit të zekatit dhe sadekatul fitrit nuk ngufatë prirjen bujare të njerëzve solidarë që pos këtyre fondeve, të cilat i orientojnë në Bashkësinë Islame, institucion tradicional e legjitim që drejton jetën fetare në vend, që ata pastaj bamirësitë e tjera të zgjedhin vet se si t’i shpërndajnë dhe kujt dëshirojnë t’ua dhurojnë. Nëpërmes një ekuivalence të tillë të urtë, ne arrijmë që edhe institucionin e zekatit dhe sadekatul fitrit ta ruajmë si mekanizëm dhe institucion të mëkëmbjes së Islamit dhe mbarëvajtjes së institucioneve fetare, dhe në anën tjetër me ndihmesat e tjera solidare të bashkëndjejmë e t’ju dalim në ndihmë nevojave të atyre njerëzve që gjatë jetës janë përballur me skamje e varfëri.
Editoriali
Dituria Islame 412
Prof. Driton Arifi