Njeriu i kalamendun s’ka më mjaftueshëm as vullnet për t’ju rrekur shkrimit e përsiatjes filozofike, zanate këto që çojnë pluhur shtigjeve të thepisura të mendimit e reflektimit. Ndërkaq, shkrimtari, në amullinë e një kohe gri tulatet mes kufirit të të qenurit mret ose njeri. Biles, prekjet elektrizuese që u shkarkuan me erën e globalizimit duket sikur e kanë kompleksuar, tkurrur e zvogëluar edhe më endësinë e Fjalës dhe arnuesin e Mendimit.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Teksa ndrroheshin motet e kalbeshin vitrinat, të vetmet që nuk u zhuritën kurrë qenë kopjet sari, ngjeshur një me një, si retë mbas qiellit, të së veçantës “Jeta e Re”. Përmes kujtimesh, vërtirur prej tingujve që atë botë shpalosnin ndjesi të kulluara ëndrrimesh e shpresash t’paepuna, edhe sot thellohem në bunarët e çelun rrëzë loçkës së rranjëve; atyre që kaherë e mbanin lidhur kërthizën e Mendimit me Amanetin.
“Jeta e Re” dhe ca më vonë lektyrat shkollore të Rilindjes në Kosovën e trazuar politikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht po bëheshin prehja e shumëkërkuar e Fjalërrëmihësve të lodhur. Letërsia shqipe si djep qëndrese ku këndoheshin pa zë ninullat e një jetë të pamundur a të mohuar do përjetohej ethshëm përmes përpjekjeve për të mos u gjymtuar, rebelimit për të ndryshuar, luftës për të mos u nënshtruar dhe lutjes për t’mos u harruar. Letrat e shqipes ngadalë po bëheshin zëri i shkrifur prej së cilit ne shihnim me të lexuar Botë të Tjera e Jetë të Ndryshme prej asaj, tonës. Jetë të Reja që zor fillonin ama kurrë s’mbaronin. Letërsia, në ato vite, avitshëm e vizatonte udhën e mundimshme të Lirisë. Letërsia, veç tjerash ish kallajisje zemrash! Bojë lapsash që mëkonte vrimat e ngelura prej plumbave të huaj.
Si shkruhej mes fletash?
Përvojat e shkrimit dhe subjektet letrare në Kosovën e viteve ’60-’70-të duket se janë ndërtuar mbi gjuhën dhe frymën e Rilindjës. Nga vitet ’70-të e mbrapa, dëftohet një përqasje e re komunikimi me metaforën si boshtin kyç të shprehjes poetike. Megjithëkëtë, kjo përsiatje e derdhur mes fjalësh në kërkim të kuptimeve më të thella nuk do konsiderohej akoma si letërsi serioze.
Megjithatë, në mungesë të traditës së shkrimit, proza që përceptohej si zhanri më serioz nuk pat fatin të përjetojë shpërthime xixëllonjëse të përnjëhershme. Ngadalë, erdhi duke u gatuar, përmes tregimit, e tek e vona edhe romanit.
Ç’ishte shtruar në sofër?
“Oda e Mysafirëve” në konakun e Hamdi beut mbante afër minderit një sënduk bojëarre, ku paloseshin me sqimë të madhe shumë fotografi, shkrepur nëpër dekada, si përpjekje për t’i përjetësuar në pafundësi, shkëndizat e gëzimeve, edhe ashtu të pakta, që me shumë mundësi as do kenë zgjatur dhe as kishin për t’u rikthyer më. Sënduku, ashtu i rëndë sa edhe heshtja e përbetueshme, pa bujë, rrëfente gjëmën e madhe, pllakosur sertë, atyre anëve.
Pra, pakkush gjente udhë që të fliste për kujtime a shtrëngime krahnori. Dukej sheshit se njerëzit kishin rënë dakord për t’i shurdhuar (me duart e tyre) të gjitha historitë e Dashnisë a butësisë, sepse as ish koha për t’u tjerrur nëpër ato lëndina as ish vakti për t’u hutuar në të tilla vogëlima. Kohnat e serta kërkonin durim, forcë, burrni, rezistencë, përpjekje e kthjelltësi. Sofra duhej shtruar pa u vënë re se diçka ishte duke munguar!
Një të tillë fat duket se e trupëzuan edhe shkrimtarët e Kosovës. Matanë vegimeve përrallore, ata mbajtën mbi supe barrën e papërthekueshme të një misioni kombëtar: të shkruarit për atdheun, qëndresen, lirinë, rezistencën, kurbetin e largësinë. Sofra e letërsisë shtrohej për hatër të Lirisë.
“N’livadh të jetës tri gota i gjeta
Dy janë të mbushura, asht bosh e treta…
Të parën e mora, në buzë e afrova,
Ish’ idhtë si pelimi mejherë e largova…
Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,
Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka…
I zbraza të dyjat në të tretën gotë,
U ba idhtë e ambël, si asht vet’ kjo botë…” (Latif Berisha)
Fati i letërsisë
Pragu i çdo kasolleje është nishani që rrëfen tinëz për sojin e tharmit të njeriut që gatuhet përbrenda një hapësire shpeshherë të zaptuar a imponuar me forcë. Pragu ose kapërcyelli që frenon stuhitë e rrëmbyeshme tek turren për kah Njeriu, kallëzon edhe fuqinë prej së cilës mbahen portat e nalta. Dikur thuhej se ish ogur i zi qëndrimi për gjatë kohë mbi pragun e shtëpisë, andaj lypsej kujdes i epërm në sajdisjen e këtij brezi që dallonte të jashtmen nga e brendshmja; veten nga të tjerët.
Pragu ose Kufiri shënjues dhe përplotësues ndonjëherë ta ndërmendë peshën e pamatë të Letërsisë dhe fatin e saj të ngrysur. Sot, Njeriu i kalamendun s’ka më mjaftueshëm as vullnet për t’ju rrekur shkrimit e përsiatjes filozofike, zanate këto që çojnë pluhur shtigjeve të thepisura të mendimit e reflektimit. Ndërkaq, shkrimtari, në amullinë e një kohe gri tulatet mes kufirit të të qenurit mret ose njeri. Biles, prekjet elektrizuese që u shkarkuan me erën e globalizimit duket sikur e kanë kompleksuar, tkurrur e zvogëluar edhe më endësinë e Fjalës dhe arnuesin e Mendimit. Së dyti, alergjitë e vjetra ndaj hiçit dhe tahmasë, shprushur prej takash që lënë gjurmë mbi prag, e kanë sfilitur mjerueshëm peshën e Fjalës. Fundja, letërsia a nuk ishte Ura e të folurit pa dorashka, prej zemrës në zemër? A s’qe Letërsia përpjekja e mundimshme e qenies për të kapërcyer kafazin, kufirin, pragun e burgun e asgjësë, që vjen prej hileve shterpe të një grushti njerëzish që s’duan askë dhe urrejnë gjithçka?!
Letërsia si Pasaportë e një shtetit dhe Pasqyra e pangatërrueshme e një populli vazhdon të lëngojë anëve tona, anise sot shkrimtarët janë pa një barrë ekzistencialiste si dikur. Ca prej plagëve që nuk u kuruan në kohë dhe ca prej dhimbjeve që nuk u ikën asnjëherë, shkrimtarët e Kosovës sikur janë strukur duke i dhënë mundësinë kujtdo për t’u vetshpallur “profeti” i Fjalës. Kështu, me orët që rrëshkasin dhe na vjedhin rininë, tretet edhe Fjala që dikur mbante me ashk njerëzinë. /revistashenja