Sofja vendos veto ndaj Shkupit për në BE-në, por mbështet Tiranën

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, ka deklaruar se vendi i saj ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian (BE), ndërsa për Shqipërinë ka mbështetur fillimin e negociatave të pranimit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rruga e Maqedonisë së Veriut është e gjatë, ajo do të mund ta gjejë vendin e saj në BE kur do të jetë gati për negociata. Një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE”, tha Zakharieva në një konferencë për media në Sofje, pas një video-konference të mbajtur midis kryediplomatëve të vendeve anëtare të BE-së.

Duke përmendur arsyet kryesore për mos mbështetjen e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të pranimit në BE, Zakharieva tha se Maqedonia e Veriut nuk e mbështet formulën e gjuhës zyrtare të nënshkruar në vitin 1999, nuk e përmbush Marrëveshjen e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të vitit 2017, si dhe një tekst shumë të qartë, i cili do të theksojë se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime ndaj pakicës maqedonase në Bullgari.

Zakharieva tha se fushatat dhe raportet e medias që përmbajnë “armiqësi ndaj Bullgarisë” kanë arritur nivele të papara në Maqedonië e Veriut.

“Mbështetja jonë për negociatat e anëtarësimit të fqinjit tonë në BE nuk ka qenë kurrë e pakushtëzuar. Ata që besojnë se Brukseli do të na fajësojë për këtë çështje po gënjehen. Do të ishte mirë që njerëzit në Maqedoninë e Veriut ta dinë si funksionon unioni. Disa vendime merren unanimisht. Si mundet që një vend që ka probleme serioze me një vend tjetër të bashkohet me BE-në”, tha Zakharieva.

Duke treguar se qeveria bullgare është e gatshme për negociata, por nuk sheh vullnet të tillë nga Maqedonia e Veriut, Zakharieva tha se, “Nëse ka marrëdhënie dypalëshe problematike midis vendeve, anëtarësimi në BE nuk do të jetë i mundur”.

Ajo tha se Sofja mbështet Shqipërinë për fillimin e negociatave të pranimit me BE-në, duke shpjeguar se “Shqipëria ka përmbushur shumicën e kushteve të vendosura nga vendimi i muajit mars”.

Kujtojmë se më 6 nëntor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi se në takimin në nivel ambasadorësh COREPER, ku po shqyrtohet korniza e negociatave, Bullgaria bllokoi fazën e parë në miratimin e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Siç deklaroi atëherë kryeministri Zaev, kjo shkel nenin 2 të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

Në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 16 shtator Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE-së, që përbëhej nga gjashtë faqe me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-bullgare” në Maqedoninë e Veriut.