Sllovakët kanë filluar të votojnë të shtunën herët në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave do të përcaktojë nëse anëtarja e NATO-s dhe BE-së do të afrohet më shumë me Rusinë, në një kohë ndarjesh për luftën në Ukrainë.
Ivan Korcok, ish-ministri i Jashtëm properëndimor, dhe Peter Pellegrini, i cili ka shfaqur skepticizëm për Ukrainën dhe e gëzon mbështetjen e partisë në pushtet, janë duke garuar në balotazh për ta zëvendësuar presidenten liberale në largim, Zuzan Caputova.
Ata po garojnë në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk e fitoi minimumin e kërkuar prej 50 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve muajin e kaluar.
Megjithëse roli i presidentit është kryesisht ceremonial, presidenti i Sllovakisë i ratifikon traktatet ndërkombëtare, emëron gjyqtarët kryesorë, është komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe mund ta përdorë veton kundër ligjeve të miratuara nga Parlamenti.
Sipas sondazhit të fundit para zgjedhjeve nga agjencia Focus, Korock dhe Pellegrini do të garojnë fytas.
“Kjo është gara më e fortë për president në histori”, tha Vaclav Hrich, drejtor i agjencisë AKO.
Stefan Harabin, i cili zuri vendin e tretë në rundin e parë pasi kritikoi Bashkimin Evropian dhe e lartësoi presidentin rus Vladimir Putin, nuk e ka mbështetur formalisht asnjërin kandidat në balotazh.
Sipas AKO-së, rreth dy e tretat e votuesve të Harabinit kanë për qëllim ta mbështesin Pellegrinin.
Por, Hrich tha se rezultati i zgjedhjeve është i paparashikueshëm dhe se dalja në zgjedhje do të jetë vendimtare.
“Sa më shumë njerëz që votojnë, aq më shumë mundësi për Peter Pellegrinin, sepse kjo do të nënkuptonte se ai i ka bindur votuesit e Harabinit”, tha ai.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia u bë temë debati në fushatën zgjedhore në Sllovaki, pasi kryeministri i vendit, Robert Fico, e vuri në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës dhe bëri thirrje për paqe me Rusinë.
Pellegrini ishte ministër në qeveritë e kaluara të Ficos.
“Po garoj për president për ta shpëtuar Qeverinë e Robert Ficos”, tha Pellegrini në një debat televiziv.
Korcok ia ktheu: “Ju dëshironi ta mbroni Qeverinë. Unë dua ta mbroj Sllovakinë”.
Qeveria e Ficos – e cila u formua në tetor, e përbërë nga partia e tij Smer dhe ajo e Pellegrinit, Hlas, si dhe partia e vogël e ekstremit të djathtë, SNS – e ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Korcok është luftënxitës, i cili do të mbështetë çdo gjë që i kërkon Perëndimi pa ngurruar fare, përfshirë zhytjen e Sllovakisë në luftë”, tha Fico. /rel