Sllovakia blen nga Izraeli sisteme të mbrojtjes ajrore në vlerë 550 milionë dollarë

Izraeli ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë mbi dy miliardë shekelë (550 milionë dollarë) për t’i shitur Sllovakisë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria izraelite e Mbrojtjes e quajti marrëveshjen për shitjen e Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore BARAK MX si marrëveshjen më të madhe të eksportit të mbrojtjes ndonjëherë me Sllovakinë.

Ministria tha se platforma e mbrojtjes ajrore, e krijuar për të kundërshtuar kërcënimet ajrore si raketat balistike, “do të rrisë aftësitë mbrojtëse të Sllovakisë”.

Deklarata, megjithatë, nuk specifikon datën e dorëzimit të sistemit.

Sipas gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, sistemi i mbrojtjes ajrore është i njohur për aftësinë e tij fleksibël për të kundërshtuar kërcënimet nga burime të ndryshme, përfshirë avionët luftarakë, helikopterët, dronët, raketat lundruese, raketat tokë-ajër dhe raketat balistike taktike.

Ai përfshin tre interceptorë për rreze operative prej 35, 70 dhe 150 kilometrash, secili i pajisur me një kërkues aktiv me radar, motor me puls të dyfishtë dhe kokë të fuqishme luftarake dhe ofron një “performancë të pashembullt interceptimi kundër një game të gjerë kërcënimesh”.

Në gusht, Ministria sllovake e Mbrojtjes tha se miratoi një plan për blerjen e gjashtë sistemeve të lëvizshme të mbrojtjes ajrore nga Izraeli.