Skitaret kosovare fitojnë medalje në garën e Turqisë

Lirika Deva dhe Elena Hoxha shkëlqyen në garën e skitarisë, të mbajtur gjatë fundjavës në Turqi.

Skitaret kosovare, Lirika Deva dhe Elena Hoxha kanë fituar medalje në garën ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), që po mbahet për grupmosha të reja në Uludag të Turqisë.

Deva e fitoi medaljen e artë, ndërsa Hoxha të bronztën në grupmoshën U-14, disiplina sllallom.

Lirika e pati kohën 1:18.88 minuta nga të dyja lëshimet, ndërsa Elena përfundoi me kohë 1:22.43 minuta.

Në këtë grupmoshë, Enxhi Sefaj doli e shtata me kohë 1:24.64.

Pjesëmarrës ishin 17 garuese.

Afër medaljes ishte edhe Kiana Kryeziu në U-16, disiplina sllallom, duke dalë e katërta.

Në këtë grupmoshë, e pesta doli Etna Nura, kurse Eva Deva ishte e shtata.

Në konkurrencën e meshkujve (U-16), Dren Spahiu doli i dhjeti nga 16 garues, kurse Klos Vokshi në U14 ishte i pafat, pasi doli nga shtegu.

Nesër vazhdojnë garat në sllallom të madh.

SHPËRNDAJE